21:45 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

Vukicevic demanton Feronikelin: Nuk kam dhënë dorëheqje

Feronikeli përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka ndërprerë kontratën me  trajnerin Dejan Vukicevic.

Megjithatë, malazezi përmes gazetës “Vijesti.me” e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se ky është vendim i një anshëm dhe ende asgjë nuk ka përfunduar.

“As unë nuk kam dhënë dorëheqje dhe as nuk më ndodh që të jap dorëheqje. Kjo është arsyeja pse unë duhet të mohoj shkrimet e mediave në Kosovë. Nëse drejtuesit e klubit duan të ndërpresin bashkëpunimin e tyre me mua, unë do të flas më pas për këtë çështje,” shpjegoi Vukicevic.

Ai gjithashtu e ka mohuar se ka marrë pagë 8.000 euro te kampionët e Kosovës.

“Ky informacion është po aq i saktë sa ai i parë, që unë dhashë dorëheqjen. Nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën,”  tha Vukiceviç.

Dejan Vukicevic mori drejtimin e skuadrës nga Drenasi në fillim të sezonit duke zëvendësuar Zikirija Ramadanin. /IndeksOnline/