16:43 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

Vulin sigurohet se Ushtria e Serbisë është e gatshme për luftë

Ushtria e Serbisë dhe ministria e Mbrojtjes, kanë ndjekur me vigjilencë dhe kujdes të madh të gjitha ngjarjet në mjedisin tonë dhe janë në gjendje për të reaguar ndaj çfarëdo kërcënimi që i vije vendit dhe qytetarëve të Serbisë, ka thënë sot ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, në Rashkë gjatë vizitës së tij në kazermën “Stefan Nemanja” pranë vijës administrative.

Sipas tij, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nuk mund të thuhet se gjendja është e qetë dhe e rregullt, transmeton Indeksonline.

“Ne jemi të gjithë shumë të kujdesshëm dhe sot jemi këtu për t’u siguruar për situatën dhe gatishmërinë luftarake të njësive tona dhe gatishmërinë për të reaguar ndaj çdo rreziku në këtë fushë. Pra jemi këtu për t’u bindur për aftësitë tona për të reaguar ndaj çdo fenomeni që mund të dëmtojë ndjeshëm sigurinë e të gjithë serbëve pavarësisht se ku jetojnë”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, ushtria serbe është e gatshme të reagojë kur kërcënohet stabiliteti i vendit.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë dhe jemi mjaft të organizuar dhe të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet, nëse ushtria serbe është këtu”, ka shtuar më tej ai./Indeksonline/