13:59 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

VV kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetëve nga paraburgimi

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të deputetëve të saj, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, që u arrestuan dje nga Policia e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi tha se gjyqtari Beqir Kalludra që ka lëshuar urdhërarrestin për deputetët Kurti, Haxhiu e Kadaj-Bujupi, ka bërë vepër penale.

Ai tha në një konferencë për media, se më 22 nëntor VV ka bërë kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues në rastin e deputetëve të saj për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës, derisa ende pa marrë asnjë përgjigje, gjyqtari Kalludra ka lëshuar urdhërarrestin për Kurtin, Haxhiun e Kadaj-Bujupin.

Kurteshi thotë se kjo përbën vepër penale nga gjyqtari Kalludra, pasi ai është dashur të pres përgjigjen nga kryetarja e Gjykatës Themelore ndaj kërkesës së tyre.

Kurteshi: Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kurtit, Haxhiut e Kadajt

“Veprimi i tillë i gjyqtarit Kalludra përbën një vepër penale, e cila duhet të ndiqet, përgjegjësi penale, në lidhje me lëshimin e fletarrestit me gjithë kërkesën me shkrim të VV-s për përjashtim të trupit gjykues. Rrjedhimisht duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe vepër penale, ne konsiderojmë se vendimi për arrestimin është në kundërshtim me ligjin dhe prandaj kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetëve nga paraburgimi dhe kërkojmë që të ndërmerren masa penale ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra”, tha Kurteshi.

Sipas Kurteshit, ka dyshime të bazuara dhe objektive se ky trup gjykues nuk mund të jetë i paanshëm në këtë rast, pasi i njëjti trup ka dënuar edhe aktivistët e VV-së, për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës.

“Kjo ka të bëjë me një çështje, se ka dyshime të bazuara dhe objektive për paanshmërinë e këtij trupi gjykues ndaj deputetëve tanë. Sepse ky trup gjykues është i angazhuar në rastin e aktivistëve tanë të akuzuar dhe tanimë të dënuar nga po i njëjti trup gjykues për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës. Ne kemi fakte dhe argumente objektive që e dëshmojnë se ky trup gjykues nuk mund të jetë i paanshëm në këtë rast”, theksoi Kurteshi.

Në këtë konferencë, deputeti Kurteshi ka ftuar edhe kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën dhe këtë institucioni që të lejojnë numërimin e votave me kusht dhe me postë për Prishtinën dhe Prizrenin.

“Nga të gjitha faktet që ekzistojnë deri tani nuk ka asnjë arsye ligjore, asnjë vendim të ligjshëm të asnjë organi apo institucioni që ndalon numërimin e rregullt të votave për komunat e Prizrenit dhe Prishtinës. Ne kërkojmë nga Daka dhe KQZ-ja vazhdimin e numërimit të rregullt për komunat e Prizrenit dhe Prishtinës dhe konsiderojmë se nëse nuk vazhdon numërimi i votave në Prishtinë dhe Prizren kjo përbën një cenim të integritetit dhe vullneti të lirë të shprehur të qytetarëve me anën e votës”, u shpreh Kurteshi.

Sipas vendimit të PZQP-së dhe miratimit nga KQZ-ja, votat e Prishtinës dhe Prizrenit do të rinumërohen nga fillimi edhe një herë, derisa numërimi i votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta është anuluar derisa të kryhet rinumërimi.