15:11 / E Enjte, 19 Gusht 2021 / OSH

VV në Shqipëri proteston kundër performimit të Bregoviqit

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka njoftuar se ka organizuar të enjten një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendrën e qytetit të Korçës.

Kjo lëvizje ka vendosur një banderolë me fjalët “Bregoviq, dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”.

“Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviq. Aksioni u zhvillua gjithashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviqin”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizjeje.

“Kujtojmë se muzikanti i shumëkontestuar Bregoviq nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviqit në Kosovë, por e gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjes së NATO-s në krah të UÇK-së. Për më tepër, shqiptarët e Kosovës, që ishin viktima të gjenocidit të Serbisë, ende e mbajnë mend mirë se si ushtria dhe paramilitarët e Serbisë i kryenin masakrat e tyre ndaj shqiptarëve duke u frymëzuar me këngë të Bregoviqit, thuhet më tutje në këtë njoftim.

Sipas |Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri koncerte të tij janë anuluar nga organizatorë edhe në shtete të tjera të botës, pas qëndrimeve të tij lavdëruese për Rusinë në koncertin e mbajtur në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

“Bregoviqi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkura e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si “Ballkani i Hapur”. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka shkruar se nuk mund të jetë rastësi që datat e Festës së Birrës në Beograd përputhen me datat e Festës së Birrës në Korçë (18-22 gusht). Ajo në Beograd u hap mbrëmë nga Bregoviq, ajo në Korçë pritet të mbyllet po nga Bregoviq.

“Është e vërtetë se jugonostalgjiku Bregoviq ka mbajtur edhe më herët koncert në Shqipëri në vitin 2006, dhe është nderuar nga kryeministri Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak, me “Çelsin e Tiranës”. Bregoviq është nderuar me medalje këtë vit edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mirëpo, prej vitit 2006, vetëdija kombëtare shqiptare është rritur më shumë në popull sesa te pushtetarët e korruptuar të Shqipërisë. Shqiptarët janë shumë më të informuar e të lidhur me njëri-tjetrin”, ka shtuar Vetëvendosje me qendër në Shqipëri.

“Si komb, do të ishte hipokrite nëse ndajmë vetëm gëzimet, medalje dhe mirënjohje ndërkombëtare, pa u solidarizuar duke ndarë edhe vuajtjet. Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan me mijëra hektarë”

Vetëvendosje ka kërkuar ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit.