15:11 / E Diele, 03 Qershor 2018 / indeksADMonline

VV: Telekomi mund të shpëtohet nga Prokuroria

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Telekomi i Kosovës mund të shpëtohet dhe mund të zhvillohet, e sipas tyre kjo mund të realizohet atëherë kur Prokuroria e Shtetit e heton kontratën e saj.

Përmes një konferencë për media Vetëvendosje i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjendja e sotme në Telekomin e Kosovës është pasojë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit të nivelit të lartë. Kurti u shpreh se në Telekom janë bërë krime dhe nuk janë bërë hetime, kanë përfituar biznesmenë dhe zyrtarë shtetëror, por që ai tha se është dëmtuar shteti dhe qytetarët. Gjithashtu, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se në Telekom nuk janë lejuar investimet dhe se vazhdimisht Telekomi është kërcënuar me privatizim.Në Kuvendin e Kosovës nesër me kërkesë të LVV-së do të mbahet interpelancë për gjendjen e Telekomit të Kosovës, ku Kurti u shpreh se pret që të miratohet mocioni i tyre me një duzinë pikash.  Ndërkohë që i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të fillojë hetimin për gjendjen në Telekom. Ndërsa, profesori i telekomunikacionit Ismet Hamiti, që kishte denoncuar për krim dhe korrupsion në Telekom në vitin 2007, tha se përgjegjës për gjendjen e Telekomit sot janë të gjitha qeveritë e pasluftës.

Ai u shpreh se Telekomi nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet rrjedhëse, edhe përkundër faktit se Telekomi është kompani shumë fitimprurëse. Por, sipas tij, Telekomi është në këtë gjendje se fitimet i janë plaçkitur dhe i plaçkiten përmes mekanizmave nga më të ndryshmet, që nga tenderët e kontratat e dëmshme, e deri tek humbjet e inskenuara të arbitrazheve.Nëse nuk i ndërmerr hapat e përmendur, ai thotë se do të vazhdojnë të kenë pushtetin grupe jo formale, grupe të pazgjedhura të cilat kontrollojnë fonde të mëdha të plaçkitura në vend përfshirë edhe fondet e plaçkitura në Telekomin e Kosovës. Gjithashtu, Hamiti thotë se nëse prokuroria nuk fillon hetimet nuk ka se si i shpëton perceptimit se edhe vetë Prokuroria është pjesë e këtij krimi.