17:43 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019

Wijnaldum tregon si i disponoi Klopp: Kishte veshur të brendshme “CR7” para finales

Georginio Wijnaldum ka zbuluar se si trajneri i Liverpoolit, Jurgen Kloppit, e kishte mbajtur fjalimin para finales së Ligës së Kampionëve me brekët e Cristiano Ronaldos të veshura, para përballjes me Real Madridin në finalen e vitit 2018.

Presioni mbi Liverpoolit ishte i madh, pasi që “Reds” ishin kualifikuar në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2007, përderisa Real Madridi kërkonte ta fitonte titullin e tretë radhazi të këtij turneu.

Por, i vetëdijshëm për presionin që mund të kenë qenë duke e ndjerë lojtarët e tij para finales në Kiev, Wijnaldum e ka zbuluar se si Kloppi i kishte qetësuar të gjithë në takimin e skuadrës, duke i veshur brekët e Ronaldos.

“Ne e pamë se ai i kishte veshur brekët e Cristiano Ronaldo”, u shpreh holandezi për The Athletic. “Ai e mbajti të gjithë takimin dhe bluzën e futur nën brekët e tij “CR7”. Të gjithë në zhveshtore mbetëm të shtrirë në dysheme nga të qeshurat”.

“Kjo me të vërtetë e theu akullin. Zakonisht në situata të tilla, të gjithë janë shumë seriozë dhe plotësisht të përqendruar. Por, ai ishte i relaksuar dhe e bëri këtë shaka”.

“Ai i ka bërë qindra shaka të tilla. Kur ti e sheh se trajneri yt është i relaksuar dhe ka vetëbesim, kjo do të ketë gjithmonë efekt te lojtarët. Ai është si baba në këto gjëra për lojtarët. Me shakatë e tij dhe gjuhën e trupit, ai e largon presionin nga lojtarët”.

Përkundër që skuadra e Kloppit kishte humbur në atë ndeshje – me rezultat 3:1, ku Gareth Bale i kishte shënuar dy gola – Liverpooli arriti ta fitojë trofeun e shumëpritur sezonin vijues, 2018/19, duke e mposhtur Tottenhamin në finale.