10:49 / E Mërkurë, 06 Janar 2021 / OSH

Xhavit Haliti i futet garës për deputet, PDK-në e sheh si fituese të zgjedhjeve

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka asnjë vijë të kuqe me asnjë parti politike e madje as me Vetëvendosjen e cila historikisht e ka sulmuar më së shumti.

Ndërsa vendit tani kur është afër një procesi të ri zgjedhor, i duhet një Qeveri stabile e cila nuk krijohet vetëm për menaxhim të ndërmarrjeve publike e për ndarje të tenderëve.

Kështu ka thënë për IndeksOnlinen anëtari i Kryesisë së PDK-së Xhavit Haliti.

Ai ka deklaruar se do të aktivizohet gjatë kësaj kohe në parti, për të ndihmuar atë dhe ka shprehur bindjen se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga PDK-ja.

Haliti ka vlerësuar se situata politike në vend është shqetësuese dhe se mbizotërojnë interesat e ngushta të partive dhe individëve.

“Është shqetësuese situata politike, mendoj që politikisht ka pasur papërgjegjësi të madhe, jo për shkak të veprimeve individuale, por për shkak të situatës me pandeminë, së dyti raportet midis partive politike, interesat më shumë të ngushta për të ardhur në shprehje për ta fuqizuar vetveten dhe jo për ta marrë parasysh interesin publik. Këto kanë qenë dhe janë shqetësime edhe të qytetarëve”, tha Haliti për IndeksOnlinen.

Tashmë kur vendi pritet shumë shpejtë t’i futet garës zgjedhore  në nivel qendror midis partive politike, Haliti ka pasur kritika sa i përket Ligjit aktual të zgjedhjeve.

“Me Lligjin aktual të zgjedhjeve, nuk ka proces demokratik, nuk mund të ketë proces demokratik, sepse ligji mundëson shumë keqpërdorime, veprime të cilat ua pamundësojnë konkurrencën, ose luftën politike midis partive dhe mënyra në përgjithësi e përcaktimit të fitueseve dhe e numërimit të votave ka qenë qesharake, veçanërisht në zgjedhjet e kaluara”, theksoi Haliti.

Ai ka komentuar edhe kandidimin e Enver Hoxhajt për kryeministër nga PDK-ja, duke shtuar se edhe ai e ka miratuar vendimin e partisë.

“Parimisht unë jam ithtar i demokratizimit të çdo vendimi në parti. Në qoftë se është marrë vendim  në organet e partisë që zotëri Enver Hoxhaj të jetë bartës i listës dhe të jetë kandidat për kryeministër, atëherë dikush edhe me pas diçka kundër nuk çon peshë, por t’jua them të drejtën unë nuk kam dëgjuar që dikush nga organet e partisë ose brenda organeve të partisë ka dalë kundër kandidatit. Sigurisht që unë e kam mirfatuar”, theksoi Haliti.

PDK-ja hyn në këtë proces zgjedhor  pa Kadri Veselin i cili duke qenë kryetar i partisë është ftuar për t’u përballur me një proces gjyqësor në  Hagë mbi pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Haliti tha se po përpiqen që bashkë me ekipin e krijuar për t’i dalë në ballë fushatës, që pamundësinë e Veselit për të qenë pjesë e fushatës, ta mbulojnë me punë ekipore.

“Ne kemi përgatitur ekipin që do të jetë në ballë të zgjedhjeve dhe në krye të fushatës pikërisht për të krijuar një mundësi që edhe pamundësia e zotëri Veselit që të jetë pjesë e fushatës, për shkak të situatës së krijuar, të mbulohet me punë ekipore, me angazhim në terren dhe me sinqeritet ndaj votuesve në fushatë”, tha ai.

Haliti, ka theksuar se PDK-ja po punon dhe do të angazhohet që të dal partia e parë fituese, duke shtuar se partinë fituese e presin sfida e zgjedhjes së Presidentit si dhe krijimi i një Qeverie e cila do të ishte stabile e nuk do të detyrohej që nga moszgjidhja e çështjes së presidentit ta dërgonte vendin në zgjedhje sërish.

“Sa i përket PDK-së, ne asnjëherë nuk jemi deklaruar kundër koalicioneve pas zgjedhore por ajo që unë mendoj koalicionet nuk duhet të krijohen  për të menaxhuar ndërmarrjet publike dhe tenderët, që jipen përmes ministrive përkatëse dhe institucioneve të ndryshëm, por duhet me u bashku për të zbatuar një program të përbashkët, që nënkupton zhvillimin ekonomik. Unë nuk shoh parti armiqësore, unë shoh kundërshtar politik, shoh parti që i takojnë një sistemi dhe një popullate qofshin e dhe ato të pakicave edhe shqiptare”, tha Haliti.

Ai ka theksuar se PDK-ja nuk ka asnjë vijë të kuqe për asnjë parti politike madje as Vetëvendosjes, me të cilët në vazhdimësi kanë pasur mospajtime.

“Ne kemi pas koalicion me LDK,-në me Nismën, me AAK-në me të gjitha partitë përveç me Vetëvendosjen dhe dihet që kemi pasur politikisht përplasje të shumta, veçanërisht nga ana e VV-së në drejtim të PDK-së, ka pasur propagandë shumë të madhe kundërshtuese, por në rastin e tashëm unë nuk kam dëgjuar që PDK-ja është deklaruar kundër koalicioneve me cilëndo parti, s’ka vija të kuqe”, nënvizoj Haliti.

Ndryshe  më 21 dhjetor  Gjykata Kushtetuese, konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.