22:04 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Xhavit Haliti: Opozita nuk do të arrijë ta rrëzojë qeverinë me mocion

Tash e sa javë është paralajmëruar iniciativa për mocionin e rrëzimit të qeverisë aktuale.

Derisa LDK e Isa Mustafës pritet të jetë iniciatore e këtij procesi, partitë tjera politike nuk është se kanë shprehur ndonjë qëndrim zyrtar.

Kështu, nënkryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Xhavit Haliti thotë se mocioni për rrëzimin e qeverisë është e drejtë e rregulluar me Kushtetutë dhe me rregulla të Parlamentit.

Sipas tij, iniciativa për ta rrëzuar qeverinë nuk do të ketë sukses.

“Ata që bëjnë plan për ta rrëzuar qeverinë mund t’i kenë llogaritë e tyre, ne si pozitë i kemi llogaritë tona dhe unë nuk mendoj se ata nuk kanë me arritë me rrëzu qeverinë me mocion”, ka deklaruar ai në një prononcim për Indeksonline.

Haliti konsideron se çështja e mocionit për rrëzimin e qeverisë nuk është e rregulluar me ligj si duhet.

“E drejta për mocion është e garantuar, mirëpo unë mendoj që kjo garancë nuk është e rregulluar me ligj si duhet. Për shembull, Shqipëria e ka shumë mirë të rregulluar këtë, por nëse bëjnë mocion partitë politike ose një grup politikanësh ose deputetësh, pa marrë parasysh a janë të pozitës apo të opozitës ata duhet ta kenë në mënyrë automatike një dokument me firma për më shumë se gjysmën e deputetëve, d.m.th 50.1 % e deputetëve dhe do të thotë të jenë të gjithë të gatshëm dhe emrin e personit që do të jetë kryeministër, pra, nuk është ajo siç ka qenë deri tash Kosovën me lënë nga 6 muaj pa institucionin më të lartë të shtetit, pra pa parlamentin e Kosovës, sepse në fakt po rrëzohet parlamenti, dhe kur bie parlamenti qeveria është e lirë me bo çka të don përderisa të zgjidhet Qeveria e re”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Haliti, konsideron se një veprim i tillë është i gabuar.

“Po më duket veprim shumë i gabuar dhe të Kushtetutës që është bërë. Nëse ndryshon qasja, nëse presidenti, nëse bie një qeveri atëherë unë mendoj se duhet me pas një veprim kushtetues i cili garanton Kosovën që mos të jetë asnjë ditë pa kontrollin qeveritar që do të thotë të mos jetë pa parlamentin”, ka theksuar tutje ai.

Madje, ai përmend faktin se në të gjitha vendet demokratike edhe kur ka zgjedhje, mandatin e Kuvendit nuk e kanë ndryshuar, kjo për faktin se për çdo situatë parlamenti është ai që i jep vizën Kuvendit, qeverisë për veprime në fusha të caktuara, duke përfshirë këtu edhe çështjet emergjente./Indeksonline/