10:34 / E Hënë, 27 Janar 2020 / indeksADMonline

Xhemë Veseli e Ramë Qupeva, negociojnë me Serbinë detajet e marrëveshjes për hekurudhat

Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, do të udhëheqin negociatat për fillimin e linjës direkte hekurudhore me Serbinë.

Vendimin e ka marrë ministri në detyrë i MIT-së, Pal Lekaj.

Sipas vendimit, Veseli do të jetë kryesues i këtij ekipi, ndërsa Qupeva anëtar.

Në vendimin e Lekajt, thuhet se kryesuesi mund të kërkojë mbështetje edhe nga zyrtarët e tjerë apo këshilltarë të jashtëm.

Pika e dytë e vendimit thotë që marrëveshja e mundshme përfundimtare duhet të jetë konform Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi të Kosovës.

Në takimin që pritet të mbahet sot në Berlin, Serbia do të përfaqësohet nga Marko Gjuriqi, drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.