Xhevdet Leci flet për “Drag Race-n” e papërfunduar, tregon fajtorin
Mes mijëra të apasionuarve pas veturave të shpejta, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë të shtunën dhe të dielën janë mbajtur garat e shpejtësisë, Drag Race.
Të dielën janë zhvilluar finalet në kategori të ndryshme por asnjëherë kjo garë nuk e gjeti fundin, shkruan indeksonline.
Gara u ndërpre pak para fundit kur kishin mbetur për tu lëshuar veturat e dy kategorive më të shpejta.
Kjo për shkak të mungesës së dritës në pistë pasi vonesat e shumta kishte bërë që gara të shkonte deri në orët e vona të mbrëmjes.
E për këtë, garuesi me kohën më të shpejtë në ditën e parë, Xhevdet Leci i fajëson më shumë garuesit por edhe federatën.
“Të gjithë po e fajësojnë Federatën por më shumë i kanë fajet edhe garuesit. Një garues dje e kemi prit deri në ora 13:30, gara s’ka filluar pa ardh ai”, ka thënë Leci.
“Ka pas garues që e kanë kthyer veturën 2-3 herë mbrapa. Dje ka qenë finale dhe garuesi e ka mundësinë vetëm me një garë me tregu vetën e jo me 2-3 herë”.
Sipas “pilotit” të Audi S2 gara e filluar të shtunën mund të mos përfundoj kurrë.
“Nuk vazhdohet kjo garë kurrë, deri ne ora 23:30 kemi qenë në pistë e jon ndërrua disa llafe jo te mira ne mes disa garuesve dhe federatës”.
“Sot do të mbahet një mbledhje dhe do të vendosët për fatin e garës”.
Leci ka qenë i gatshëm që për hir të publikut të garoj edhe nëpër terr edhe pse “raketa” e tij nuk posedon drita.
“Më vjen keq prej publikut që kanë prit tërë ditën për të ndjekur garën tonë dhe nuk arritën me pa. Unë kam insistuar me qit veturën time edhe nëpër terr edhe skam drita, me ba një rund për shikuesit por federata nuk më lejoi”, shtoi Xhevdet Leci.
Nëse gara nuk zhvillohet sot, atëherë sipas rregulla të FIA (Federata ndërkombëtare e autosportëve) fitues shpallet garuesi me kohën më të shpejtë në kualifikuese.
Në kualifikime, Xhevdet Leci arriti kohën më të shpejtë, ku 402 metra i kaloi për vetëm 9.086 sekonda i ndjekur nga Skender Potera me 9.939 sekonda. /IndeksOnline/