Yamal mund të qëndrojë në bankë rezervë në Kampionatin Botëror
Selektori i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka lënë të hapur mundësinë që talenti i ri Lamine Yamal të mos ketë rol kyç në fillim të Kampionatit Botëror, për shkak të procesit të rikuperimit nga dëmtimi.
Sulmuesi i Barcelonës aktualisht është jashtë fushave deri në fund të sezonit si pasojë e një dëmtimi muskulor, megjithatë pritet që të jetë pjesë e skuadrës spanjolle për turneun botëror.
Pavarësisht kësaj, sipas raportimeve nga mediat spanjolle, stafi mjekësor nuk dëshiron të marrë rreziqe me aktivizimin e tij të menjëhershëm si titullar.
Sipas planifikimeve të stafit mjekësor, 18-vjeçari mund të përdoret fillimisht si alternativë nga stoli, me minuta të kufizuara gjatë fazës së grupeve, ndërsa më pas pritet të rikthehet gradualisht në formacionin bazë në fazat me eliminim direkt të turneut.
De la Fuente ka theksuar se edhe futbollistët që nuk janë në 100 për qind të formës fizike mund të kenë ndikim të madh në ndeshje.
Duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur të Botërorit, ku ndeshjet luhen me ritëm të shpejtë, menaxhimi i ngarkesës fizike konsiderohet faktor kyç.
Ndërkohë, stafi mjekësor i kombëtares spanjolle ka apeluar për kujdes maksimal në trajtimin e rastit të Yamalit, duke sqaruar se rikuperimi mjekësor nuk nënkupton automatikisht gatishmëri të plotë për performancë në nivel të lartë.

