12:59 / E Diele, 28 Prill 2019 / indeksADMonline

Z.Ministër i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi! Korrupsioni me tekstet shkollore është më i rëndë se sa korrupsionet tjera

Shkroi: Shukri Klinaku

Me të drejtë, tash e 19 vjet – ekspertë, mësimdhënës, prindër e nxënës – janë ankuar për dobësitë që kanë tekstet shkollore para-universitare. Dhe lajmi i vonuar, por i mirë erdhi: Ministria e Arsimit (MASHT) do të shpallë konkurs për tekstet e reja shkollore. Plani ishte edhe më i hershëm, por ndërrimi i qeverisë dhe probleme tjera – e shtynë konkursin e parë (për tekstet shkollore për klasat 0, 1, 6 dhe 10) deri më 26 prill 2018. Pastaj, MASHT-i shpalli edhe konkursin e dytë (për klasat 2, 7 dhe 11) më 31 gusht 2018, me qëllim që të dy konkurset të shqyrtoheshin dhe të vendoseshin para shtatorit 2019.

Ku jemi sot? Pas 6 muajve, prej se janë dorëzuar dorëshkrimet e konkursit të parë, MASHT-i mbajti një konferencë për shtypë, në të cilën u dhanë disa informata tejet të parëndësishme sa i përket thelbit të procesit; madje, organizatori i konferencës për shtyp – vlerësuar nga “informatat e kodifikuara” – shihet se kishte për qëllim kamuflimin dhe jo informimin. Ndërsa në anën tjetër, kanë mbetur vetëm edhe 4 muaj kohë nga dita kur nxënësit duhet t’i kenë librat e rinj në dorë. Në konferencën për shtyp pati edhe disa pyetje nga gazetarët, të cilët, dorën në zemër, nuk janë të interesuar për procesin e zgjedhjes së teksteve në nivelin e rëndësisë që ka ky proces. Në konferencë u përmendë prania e OJQ-ve në proces, por e vërteta është se, edhe ato janë larg këtij procesi shumë të rëndësishëm për arsimin. Interesimi më i madh dhe më profesional i gazetarëve dhe OJQ-ve do t’i ndihmonte MASHT-it të mos rrëshqiste në korrupsion në përzgjedhjen e teksteve shkollore.

Pesha e korrupsionit në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore

Korrupsioni në çdo fushë të veprimtarisë është i dëmshëm për përparimin e shtetit tonë, dhe atë në disa drejtime dhe sidomos në drejtim të rritjes së zhgënjimit të madh të qytetarëve ndaj organeve shtetërore. Mirëpo, korrupsioni eventual me tekste shkollore, përveç se bartë të gjitha dëmet që bartin korrupsionet në fushat tjera, bartë edhe dy dëme tjera shumë të mëdha. Dëmi i parë është se, në kopertinat e librave shkollor do të ketë shumë emra autorësh që janë bërë hallkë e zinxhirit të korrupsionit ndërmjet shtëpisë botuese dhe recensentëve; ndërsa në faqen e parë të librave do të ketë shumë emra recensentësh që janë korruptuar me një grusht para – pra, librat shkollorë do të ishin të mbushur me emra të njerëzve të zhytur në korrupsion. Dëmi i dytë dhe më i madhi është se, rreth 400 mijë nxënës do të mësonin edhe për disa vite me radhë nga librat me cilësi shumë më të dobët se sa Kosova është në gjendje të iu ofroj atyre.

Rreziqet e rrëshqitjes në korrupsion dhe shenjat tanimë ekzistuese të korrupsionit

1. Ligji për tekstet shkollore i vitit 2006, në bazë të të cilit është zhvilluar ky proces është jo i favorshëm për cilësinë e librave dhe i favorshëm për korrupsionin. Kjo është kështu, sepse sipas këtij ligji operatorët ekonomikë (shtëpitë botuese) aplikojnë me dorëshkrime dhe jo drejtpërdrejt autorët me dorëshkrimet e veta. E para, kjo do të thotë se, përzgjedhjen e parë të teksteve shkollore e bën biznesmeni – pronari i shtëpisë botuese, sepse ai vendos me cilin autor do të punoj dhe fare lehtë mund të ndodhë që shumë autorë të mirë të eliminohen në start, sepse nuk kanë gjetur një operator ekonomik për të bashkëpunuar. E dyta, MASHT-i, në vend se të kishte relacion me autorët e “varfër financiarisht”, ka relacion me operatorët ekonomik “të pasur”, të cilët e kanë në radhë të parë interesin për të cilin ekzistojnë – përfitimin material. Udhëheqja e MASHT-it mund të thotë: ligjin nuk e përpiluam ne, atë e gjetëm kështu kur erdhëm në qeverisje të MASHT-it; mirëpo, shtrohet pyetja, pse nuk u bë përpjekje të finalizohet votimi i ligjit të ri, i cili është në pritje prej shumë kohësh?

2. Komisioni i MASHT-it për çështjen e teksteve shkollore (Komisioni i ekspertëve për plan-programe dhe tekste shkollore – KEPTSH), i cili do të duhej të ishte bartës i procesit të përzgjedhjes së teksteve është i mbipopulluar dhe i mbizotëruar nga këshilltarët politikë. Me një fjalë, këshilltarët politikë (të tillë edhe jashtë KEPTSH-it) e kanë 100% në duart e veta procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore.

3. Përzgjedhja e recensentëve – është bërë kryesisht me porosi të një shtëpie botuese, e cila ka përpiluar listën e recensentëve në bashkëpunim me autorët-bashkëpunëtorët e vet.

4. Recensentët e konkursit të parë janë zgjedhur me ftesën që ka lëshuar MASHT-i në dhjetorin e kaluar. Po recensentët për konkursin e dytë? Ata nuk janë përzgjedhur fare! Recensentëve të konkursit të parë iu është vazhduar angazhimi për konkursin e dytë – pa ftesë publike për aplikim të të interesuarve, pa vendim publik.

5. Procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore është vonuar shumë dhe doemos se tanimë kur jemi në përmbyllje të përzgjedhjes, për shkak të afrimit të 1 shtatorit, do të anashkalohen hapat e rëndësishëm të përzgjedhjes së dorëshkrimeve cilësore dhe doemos se do të mungojë transparenca e procesit. Pra, nuk ka kohë që të zhvillohen hapat normal të përzgjedhjes së teksteve shkollore. Kjo vonesë do të sjell edhe një problem tjetër të madh – do të diskualifikohen shumë tekste se gjoja nuk i kanë respektuar standardet dhe kurrikulën, në mënyrë që të “thjeshtohet” procesi. Por, shtëpitë botuese të diskriminuara në këtë mënyrë do të fillojnë procesin e ankesave. Dhe për shtëpitë botuese duhet siguruar transparenca e plotë mbi përmbushjen (apo mos përmbushjen) e standardeve dhe të kurrikulës nga ana e dorëshkrimeve të ofruara. Dhe kjo çështje lehtë mund të përfundoj deri në dyert e gjykatës.

6. Deri më tani është shpallur “rezultati” selektiv dhe me kode. Ky lloj kamuflimi nuk flet për proces të shëndetshëm dhe transparent.

7. Këto rreziqe dhe shenja flasin se: procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore nuk do të jetë i besueshëm; tekstet shkollore do të koncentrohen në një shtëpi botuese që është e lidhur me këshilltarët politikë të MASHT-it, do të koncentrohen te disa autorë dhe çka është më e keqja, te disa autorë të përzgjedhur nga biznesmenët e zhdërvjellët.

A ka shpresë për proces të drejtë dhe sado pak të besueshëm?

Po ka! Meqenëse tashmë në çdo variant nuk ka kohë për hapat normal të përzgjedhjes, atëherë, ka edhe pak kohë për një përmirësim të gjendjes. Kjo mund të arrihet, nëse bëhet një rivlerësim i teksteve nga komisione të reja të recensentëve dhe me përzgjedhje dhe mbikëqyrje transparente. Duhet të përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore këshilltarët politikë.