14:52 / E Mërkurë, 08 Maj 2019 / indeksADMonline

Z Mobile: Të Respektohet Ligjshmëria kombëtare dhe ndërkombëtare

Z Mobile po i përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me kontratën me Telekomin e Kosovës. Në këtë aspekt vlerësohet si ndërhyrje e papresedencë politike në gjyqësi e Komisionit Parlamentar të Kuvendit presioni i bërë për të ndaluar një obligim të plotfuqishëm ligjor, siç është ekzekutimi i vendimit të Arbitrazhit të Z Mobile ndaj Telekomit.

Është për t’u çuditur fakti se si organi më i lartë ligjvënës i një shteti, në lajthitje, angazhohet në pengimin e funksionimit të ligjit, duke bërë përpjekje t’i dalë në rrugë përmbushjes së një procedure gjyqësore, me verdikt të një tribunali ndërkombëtar të arbitrazhit.

Me këtë hap, Kosova paraqitet si palë e cila nuk i respekton as ligjet e brendshme dhe ndarjen e pushteteve, por as përgjegjësitë ndërkombëtare. Kontrata e Z Mobile me Telekomin është kontratë për shërbime të MVNO-së, kontratë e zakonshme në mes të operatorëve të rrjeteve të telekomunikacionit dhe operatorëve virtualë të shërbimeve të telekomunikacionit, bazuar në ligjin e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, ligjit për Komunikimet Elektronike dhe udhëzimit të ARKEP për MVNO, me qëllim të rritjes së konkurrencës dhe cilësisë së shërbimeve të telekomunikacionit në vend.

Kontratat e këtilla janë praktikë e zakonshme edhe në shtetet fqinje të Kosovës, si dhe në shumicën e shteteve të Evropës. Vlerësojmë se përfaqësuesit e subjekteve politike duhet të mos bien pre e fushatës populiste për të gjetur fajtorët kujdestarë lidhur me vështirësitë e Telekomit, pasi që nuk ka asnjë ekspertizë të vetme profesionale, e cila do të vërtetonte se kontrata për shërbime të MVNO-së në ndonjë mënyrë e ka dobësuar Telekomin.

Përkundrazi, të gjitha shqyrtimet e deritashme të kontratës ndërmjet të Telekomit dhe Z Mobile, siç është procesi gjyqësor i EULEX-it dhe aktgjykimi i arbitrazhit ndërkombëtar, të cilat janë edhe publike, kanë nxjerrë përfundime se ky bashkëpunim ka qene komercialist i dobishëm për të dyja palët.

Ndërkohë, është fakt notor sot se pikërisht ndërhyrjet e partive politike në ndërmarrjet publike janë ndër shkaktarët kryesorë të performancës së diskutueshme të ndërmarrjeve publike në Kosovë, pa përjashtuar këtu edhe Telekomin. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimin e ekonomisë së tregut dhe ndarjes së qartë të pushteteve. Z Mobile bën lutje që politika të mos sakrifikojë subjektin privat në mënyrë që të maskohet mosperformimi i ndërmarrjeve të caktuara publike. Z Mobile ka qenë dhe mbetet bashkëpunuese për zgjidhjen e kontesteve.

Mosofrimi i asnjë zgjidhjeje për obligimet e Telekomit ndaj Z Mobile, verdikt ky vërtetuar në aktgjykimin e arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe ikja nga përgjegjësia ligjore dhe kontraktuale, nuk po e ndihmojnë në asnjë mënyrë as Telekomin dhe as neve si partnerë të tyre.

Për ketë arsye Z Mobile, përkundër vullnetit të saj, mund të detyrohet që të ndërmarrë veprime ligjore që të sigurohen te drejtat e saj të garantuara me ligj, nëse nuk do të ketë lëvizje për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje.

Përfundimisht, edhe një herë i ftojmë përfaqësuesit e partive politike të përmbahen ndaj presioneve në gjyqësi dhe ndaj sektorit privat, duke mos bërë përpjekje të dalin përtej detyrave të tyre kushtetuese, të cilat nuk e ndihmojnë gjendjen.

Z Mobile edhe në këtë rast do të jetë e detyruar që për secilin ndikim dhe intervenim eventual, i cili do t’i shkaktonte humbje kësaj kompanie, të ndjekë rrugët ligjore, përmes procedurave gjyqësore dhe të arbitrazhit.