14:40 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

Zbulohen pllakat përkujtimore të dy dëshmorëve  të kombit në Mitrovicë

Në fshatin Pirq sot është bërë zbulimi i Pllakës Përkujtimore në nderim të dy  dëshmorëve, të familjes Kalludra, Sylejman dhe Shapi Kalludra, të rënë  gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Me këtë rast, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltarët e tij  Naser Muja, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë si dhe Nehat Bahtiri, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë para të pranishmëve  se familjet e dëshmorëve duhet të ndihen krenar për të rënët në liri.

“Sot me rastin e përurimit të kësaj pllake përkujtimore nderojmë dy luftëtarë dhe atdhetarë të devotshëm të cilët dhanë jetë e tyre për liri e pavarësi të vendit. Ne si institucione duhet të punojmë që ta realizojmë amanetin e dëshmorëve për një shtet të pavarur dhe sovran, për një shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe për një të ardhme më të mirë” , tha kryetari Bahtiri.

Në anën tjetër, Nuhi Kalludra, bashkëluftëtar i dëshmorëve  tha se të flasësh për veprën e dëshmorëve është e vështirë.

“Përurimi i lapidarit sjellë ndjenjë të dhembjes, por mbi të gjitha gufon ndjenja e krenarisë, ndërsa këtë liri të cilën e gëzojmë ne, duhet ta ruajmë dhe të punojmë për zhvillimin e vendit tonë” ,  shtoj bashkëluftëtari Kalludra.

Banorët e kësaj ane ndanë edhe një mirënjohje për kryetarin Bahtiri, si shenjë respekti për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë dhe po i jep fshatit Pirq.