17:03 / E Enjte, 06 Janar 2022 / MSH

Zbulohet portreti i faraonit Amenhotep I që jetoi 3500 vjet më parë

Nuk ishte shumë i gjatë, kishte një hundë të vogël, një fytyrë të rrumbullakët dhe flokë kaçurrelë. Pas 3500 vjetësh është bërë e mundur të rindërtohet pamja e faraonit egjiptian Amenhotep I (1525-1504 p.e.s.), falë njohurive të teknologjive moderne dhe teknikave të lashta të mumifikimit. Studiuesit e Universitetit të Kajros mundën të hiqnin fashat nga Amenhotep I, por vetëm virtualisht.

Për të shmangur dëmtimin e pakthyeshëm të mumies, studiuesit kryen një tomografi të kompjuterizuar në 3D, e cila i lejoi të shihnin në detaje se çfarë fshihnin fashat. Rezultatet e studimit janë publikuar në “Frontiers in Medicine”.

Identikiti i faraonit- “Amenhotep I ishte rreth 35 vjeç kur vdiq”, thotë radiologu dhe koordinatori i studimit Sahar Saleem në një intervistë për Guardian.

“Ai ishte rreth 169 cm i gjatë, i rrethprerë dhe kishte dhëmbë jashtëzakonisht të mirë për atë kohë.” Skanimi zbuloi gjithashtu se truri i faraonit është ende i paprekur, ndryshe nga ai i sundimtarëve të tjerë egjiptianë, si Ramses II ose Tutankhamun. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë të dhënë për shkaqet e vdekjes.

“Ne nuk kemi identifikuar lëndime apo shenja sëmundjesh që mund të justifikojnë vdekjen, përveç gjymtimeve të shumta pas vdekjes”, thotë Saleem.

Këto gjymtime ishin rezultat i kalimit të grabitësve të varreve në kërkim të thesareve në shekullin e 11-të para Krishtit.

Pasi kishin riparuar dëmet e plaçkitësve, priftërinjtë e dinastisë së 21-të e fshehën mumien në një vend në Luxor, ku ata dikur sillnin fisnikët dhe sovranët e vdekur për t’i mbrojtur nga grabitësit e varreve. Trupi i Amenhotep I u zbulua në 1881, por varri origjinal nuk u gjet kurrë.