16:23 / E Diele, 17 Maj 2020 / indeksADMonline

Zëdhënësi i Qeverisë i reagon Hazirit: Kabineti e as Kurti s’janë pjesë e asnjë liste të zezë nga SHBA

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, përmes një postimi të bërë në Facebook i ka reaguar nënkryetarit të LDK-së Lutfi Hazirit.

Ai ka thënë se ministrat e kabinetit të kryeministrit e as Kurti s’janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Amerika.

Ky është postimi i plotë i tij:

DEMANTIM I DEKLARATËS SË Z. LUTFI HAZIRIT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Lufti Haziri, mbrëmë në një intervistë ka deklaruar se Kabineti i Qeverisë Kurti është në listë të zezë sa i përket pajisjes me viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Sipas tij, “gjithë kabineti ka qenë, është nën kufizime” dhe ministrat e kabinetit janë në “listë të zezë, që nuk marrin viza, nuk mund të marrin viza udhëtimi për në Amerikë.”

KJO DEKLARATË E TIJ NUK QËNDRON.

Kabineti i Qeverisë Kurti, pjesë e së cilit, i kujtojmë z. Hazirit se janë edhe ministrat nga LDK-ja, nuk ka kufizime të tilla. Ministrat e kabinetit dhe Kryeministri Kurti nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për më tepër Kryeministri Kurti veçse ka vizë amerikane valide.

Është për t’u habitur mungesa e informacioneve me të cilat zyrtarë të lartë politik dhe institucional veprojnë, aq sa edhe nga papërgjegësia e tyre për të shpërndarë në opinion publik deklarata dezinformuese.