20:53 / E Enjte, 28 Mars 2019 / indeksADMonline

Zëdhënësi i Vatikanit: Papa nuk ua puthi dorën besimtarëve për shkak të mikrobeve

Videoja me Papa Françeskun që nuk i linte besimtarët ti puthnin dorën thyen rrjetin. Pse shkeli protokollin? Si mund ta bëjë Papa këtë? Ishin disa nga pyetjet që u bënë nëpër mediat sociale. Por misteri merr fund.

“Ishte thjeshtë çështje higjiene!” Kjo ishte përgjigja që dha zëdhënësi i Vatikanit Alessandro Gissotti, i cili shtoi se Papa ishte i shqetësuar për mikrobet kur takoi katolikët, në meshën e të mërkurës së kaluar.

Kritikët e kritikuan Papën duke thënë se ai kishte shmangur traditën shekullore. Por sipas zëdhënësit kishte kaq shumë njerëz të rreshtuar për të takuar Papën në Sheshin e Shën Pjetrit, sa ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun e përhapjes së mikrobeve.

Gissotti shton më tej duke thënë se Papës i pëlqen të përqafojë njerëzit dhe të përfaqohet nga to, gjithashtu të puthin unazën që ai mban në gisht, por kur bëhet fjalë për grupe të vogla jo mijëra njerëz që mbajnë radhën.

Shumica kujtojnë se adhuruesit puthin dorën e Papës, por në të vërtetë ata puthin unazën që Papa mban në gisht. Unaza është simboli më i fuqishëm i autoritetit të Papës. Tradita e puthjes daton prej qindra vitesh dhe bëhet në shenjë të respektit dhe të bindjes.

Kur Papa ndërron jetë, unaza shkrihet, gjë që shënon edhe fundin e mbretërimit të tij. /IndeksOnline/