12:17 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Zeka: Individët nuk mund t’ia humbin imazhin institucioneve të sigurisë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se në këtë 10 vjetorë të shtetësisë, Kosova shënon hapa të rëndësishëm të zhvillimit të saj e në këtë kuadër nevojitet kohë e gjatë për të përshkruar sukseset e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Në çdo institucion e sidomos të një shteti të ri siç është Kosova mund të kemi raste të izoluara por assesi raste të cilat dëmtojnë imazhin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë në të cilat kemi bërë investim në resurset njerëzore dhe profesionale”, ka thënë Zeka për Indeksonline.

Opinioni i krijuar ditëve të fundit për këto institucione, sipas Zekës, nuk duhet parë vetëm në aspektin negativ pasi që këto institucione kredibile kanë marrë edhe vlerësime pozitive nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe krahasuar me shtetet e Ballkanit perëndimore këto institucione janë të standardeve Evropiane.

“Vitin e kaluar ka pasur rezultate të prekshme në sundimin e ligjit dhe në luftimin e dukurive negative. IPK-ja dhe Policia punon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe secili individualisht është përgjegjës për veprimet e tij ose saj”, ka deklaruar ai.

I pyetur se si e sheh suspendimin e kreut të IPK-së, Hilmi Mehmeti, Zeka ka thënë se ky veprim ka qenë kompetencë ekskluzive e ministrit të MPB-së dhe ky rast është duke u trajtuar nga organet respektive të Republikës së Kosovës.

“Institucioni i IPK-së është një institucion i pavarur dhe si i tillë është investuar gjatë në të, prandaj ky institucion me punën e tij ka bërë që performanca dhe rezultatet e policisë të jetë në nivelin dhe standardet që kërkohen nga MPB-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Zeka.

Sipas tij, duhet kuptuar të gjithë pa përjashtim se para ligjit nuk është imun askush. Imazhi i një institucioni nuk dëmtohet nga rastet e caktuar individuale. Ata të cilët bien ndesh me ligjin, sipas tij, do të marrin përgjigjen e merituar para organeve kompetente./Indeksonline/

Temat: