13:09 / E Shtunë, 06 Janar 2024 / Gj. Sh

Zelenskyy: Asetet e ngrira të Rusisë të përdoren për mbështetjen e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se asetet ruse të ngrira duhet të përdoren për mbështetje të Ukrainës.

Kështu bëri të ditur ai në një postim në X, njofton Klankosova.tv.

“Asetet ruse të ngrira aktualisht jashtë vendit arrijnë në rreth 300 miliardë dollarë. Ato duhet të përdoren në mbështetje të Ukrainës”, shkroi Zelenskyy.

Më tutje ai tha se kjo është mundësia historike për ta bërë të paguajë shtetin “terrorist”, si dhe humbja e aseteve për ta do të ishte humbja më e dhimbshme.

“Kjo është një mundësi historike për ta bërë shtetin terrorist të paguajë për terrorin e tij. Elita dhe lidershipi rus nuk kujdesen për jetët njerëzore, por ata kujdesen për paratë mbi të gjitha. Për ta, humbja e aseteve do të jetë humbja më e dhimbshme. Ata do të ndiejnë forcën e vërtetë të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të shohin se bota është më e fortë se terrori”.

Ai u ka bërë thirrje partnerëve të tij të kryejnë këtë lëvizje sa më shpejtë.

“Vendimi për të përdorur asetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën do të jetë një përgjigje krejtësisht e drejtë dhe legjitime ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Do të dërgojë mesazhin e duhur për të gjithë agresorët e mundshëm në mbarë botën: sulmi ndaj një shteti tjetër nuk jep rezultat; e bën agresorin të paguajë”.

“I inkurajoj partnerët të lëvizin shpejt në kuadrin ligjor përkatës. Këtë vit, ne duhet të arrijmë përparim të prekshëm drejt përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të mirën e Ukrainës. Ne mbështetemi fort në udhëheqjen e G7 për këtë çështje”, ka shkruar presidenti.