11:07 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018 / indeksADMonline

Zemaj: Ideja e Thaçit për kufijtë, e keqe dhe përçarëse

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme, në të cilën deputetët po debatohet për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, apo korrigjimin e kufijve.

Në fjalimin e tij, Armend Zemaj nga radhët e LDK-së ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse quhet teknik, shpesh ka kaluar me të panjohura duke u shndërruar në politik, raporton Indeksonline.

Sipas tij, kjo ndërlidhet me paaftësinë e Kuvendit qoftë për të raportuar apo për të dhënë llogari.

“Në kohën kur Kosova po kalon 10 vjetorin e pavarësisë dialogu ka marr kahje tjetër siç është lëvizja e kufijve shtetëror e që nënkupton përshkallëzim të territorit. Kjo ide e proklamuar nga Thaçi vihet në pyetje nëse është edhe ide e tij, pasi është e keqe dhe shihet si përçarëse e politikës së vendit. Kosova duhet të kaloj këtë sfidë aktuale, e që nuk është në favorin tonë por vetëm të individëve të caktuar”, ka theksuar Zemaj.

Ai ka vlerësuar se kjo ide po shkakton pos ndarje të brendshme, po i jep mundësi krimit dhe korrupsionit dhe po krijon imazh të keq para botës demokratike.

“Pasojat po i vuan populli i Kosovës dhe politika dashamirëse e vendit. Grupi i LDK-së i jep përkrahje rezolutës së paraqitur nga iniciuesi, e tregon që Kosova është një dhe e patjetërsueshme”, ka përfunduar Zemaj. /Indeksonline/