13:09 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / C E

Zemaj kërkon mirëkuptim nga sportistët: Duhet të jemi të kujdesshëm

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka marrë pjesë në Javën Evropiane të Sportit. organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Zemaj përmes një statusi në Facebook ka kërkuar mirëkuptim nga sportistët para se të marrin çdo vendim.

Ky është shkrimi i tij:

“Sporti dhe pandemia Covid 19” është tema që disktuam sot bashkë me ministren për Kulturë, Rini e Sport, znj. Vlora Dumoshi dhe zyrtarë të tjerë, në konferencën “Forumi për sportin”, organizuar në kuadër të Javës Evropiane të Sportit nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.

Në diskutimin interaktiv me dashamirët e sportit dhe drejtuesit e federatave të sporteve të Kosovës, në Javën Evropiane të Sportit, pashmangshëm u fokusova në interesimin e madh të tyre rreth hapave të mëtejmë të Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave në këtë kohë.

Primare është shëndeti, këtë e dinë dhe presim mirëkuptim nga sportistët. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vlerësojmë situatën objektivisht dhe pa emocione.

Komunikimi midis institucioneve dhe federatave të sportit në nivel vendi do të jetë i përhershëm me qëllim që secili sektor ta kryejë pjesën e vet të përgjegjësisë për të mundësuar ruajtjen e shëndetit publik të secilit anëtar të federatës.