20:42 / E Hënë, 10 Gusht 2020 / indeksADMonline

Zemaj: Numri i shtretërve dhe i respiratorëve ka qenë në aspektin minimal, krahasuar me tash

Mbi 10 mijë ka shkuar numri i të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë, derisa kanë vdekur mbi 300 persona.

Gjendja e  rëndë me pandeminë vazhdon tash e pesë muaj në vendin tonë, derisa Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha në Kanal 10 se Kosova është shembull për menaxhimin e këtij virusi.

Ai ka thënë se do të ishte numër edhe më i madh i të vdekurve nëse s’do të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet përfshirë edhe Spitalet Rajonale që të trajtojnë personat e infektuar, transmeton Indeksonline.

“Do të ishte numër më i madh i vdekjeve. Kur kam nis punën kam kërku që të trajtohen edhe në Spitalet Rajonale, edhe pse në fillim kishte rezistencë. Kjo është ajo se sa vlerësohet tretmani spitalor. Sepse kur kemi numër të vdekjeve brenda 24 orëve në zona të caktuara, atëherë imponohet nevoja të rishikojmë se cili është përdorimi i respiratorëve, përvoja e mjekëve të ri, punë ditore kjo që e bëjmë me trupat tanë brenda MSH-së”, tha Zemaj.

Ai tha se ka vlerësim maksimal për punën që bëjnë mjekët dhe infermierët.

“Por, kjo është trashëgimi 20 vjeçare e potencialit. Nëse flasim për numrin e shtretërve dhe respiratorëve kur kam ardhë e kam gjet në aspektim minimal në krahasim me atë që kemi siguru tani.

Krejt këto që lidhen me trajtimin e rasteve COVID, janë resurse humane. Nëse ekizston mosha 55 vjeçare mesatare e personelit mjekësor, atëherë jemi në buzë të limitir të këtyre trajtimeve. Por, kemi nis edhe projekte të reja për kapacitet dhe kuadro të reja që të mund të futen menjëherë në sistemin shëndetsor së paku për vitet e ardhshme”, tha ministri./Indeksonline