16:24 / E Hënë, 27 Korrik 2020 / indeksADMonline

Zemaj: Turizmi i fundjavës, tubimet e protestat po ndikojnë në rritjen e rasteve

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me  metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 404 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë  276 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 7.413 raste nga 34.720 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 185 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.201.

Derisa në një konferencë për media, Ministri i Shëndetësisë, Armend        Zemaj i është drejtuar qytetarëve përmes një fjalimi.

Ky është adresimi i plotë i Zemajt:

I nderuari Zëvendës/Kryeministër,

I nderuari drejtor i IKSHPK-së, profesor Ramadani,

I  nderuar dr……………………………………………………………(SHSKUK)

Të nderuara media,

Faleminderit për gatishmërinë tuaj të përhershme që të merrni pjesë në konferencat tona dhe në përcjelljen e aktiviteteve kundër pandemisë Covid-19, në një kohë kur zëri juaj, është po aq i rëndësishëm sa edhe kujdesi i profesionistëve shëndetësor ndaj pacientëve me këtë sëmundje.

Në intervalin kohor midis takimeve tona, ne kemi vazhduar të ju mbajmë të informuar për të gjitha zhvillimet dhe aktivitetet rreth Covid-19 dhe të ndajmë me ju në baza ditore informatat rreth numrit të infektuarve, numrit të shëruarve, numrit të të vdekurve dhe karakteristikave të tjera të kësaj sfide shumë serioze.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë resurset e reja të rekrutuara (200 profesionistë)  në funksion të menaxhimit të Covid-19 në QKUK dhe në Spitalet e Përgjithshme, ka përkrahur SHSKUK-në në ngritjen e kapaciteteve të reja spitalore, me qëllim të përballimit të fluksit të pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor, ka hapur procesin e licencimit të institucioneve private shëndetësore për testime serologjike dhe deri tash ka pranuar me dhjetëra aplikacione për licencim të cilat do të shqyrtohen sa më parë nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore.

Gjithashtu, jemi në proces edhe të procedurave për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për decentralizimin e testimeve molekulare (PCR) edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike.

Me qëllim që të kemi një vendimmarrje të bazuar në fakte dhe dëshmi, unë kam emëruar javën e kaluar Bordin Këshillëdhënës për Covid-19, me emra dhe doajenë të njohur të shkencës së mjekësisë dhe fushave të tjera,  dhe kam filluar të pranojë nga ta këshillat e para rreth hapave që do të propozohet të ndërmerren në të ardhmen bashkë me arsyetimet pse.

Vendimet e reja që merr MSh dhe Qeveria për Covid-19 do të bazohen në këshillat nga ky Bord dhe institucionet relevante.

Nga ajo që kemi parë së fundi, ka një lëvizje pozitive sa i përket vetdjësimit të qytetarëve për bartja të maskave mbrojtëse, por ne kemi ende nevojë që të punojmë më shumë më këtë aspekt dhe të vetdijesojmë popullatën për mbajtjen e distancës sociale e fizike dhe të rrisim nivelin e higjienës individuale e kolektive.

Zëvendëskryeministri Tahiri është sot këtu me ne për të ndarë një informacion të rëndësishëm me ne që ka ndikim pikërisht në fuqizimin e masave mbrojtëse, si për profesionistët shëndetësor, ashtu edhe për qytetarët, me që, gjatë uikendit ka arritur në Kosovë një donacion shume i vlefshëm nga shteti i Jordanisë me 500 000 maska mbrojtëse, veshje për personelin shëndetësor, dezinfektues dhe pajisje të tjera, të cilat do të ndahen me institucionet shëndetësore dhe komunat, sipas një plani të shpërndarjes që kemi bërë në proporcion me numrin e banorëve dhe me qytetarët gjithashtu. Shprehim falënderimin tonë për shtetin e Jordanisë dhe donatorët e tjerë, të cilët përmes kontributeve të tyre, po ndikojnë që krahas furnizimeve vetanake, të kemi një qëndrueshmëri në furnizimet e domosdoshme për personalin shëndetësor dhe shërbimet e tjera.

Nga kjo konferencë, tërheqim vërejtjen se mos respektimi në masën e duhur i masave vazhdon të përbëjë rrezik të drejtpërdrejt për shëndetin publik.

Turizmi i fundjavës në vende tjera dhe kthimi i qytetarëve nga vendet e vizituara, tubimet si protestat e ndryshme, ngjarjet sportive pa respektim të masave mbrojtëse dhe aktivitete të tjera po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve të Covid-19, dhe për pasojë po shkaktojnë ngarkesën e spitaleve dhe profesionistëve shëndetësor.

I bëjmë thirrje popullatës dhe bizneseve që të shpreh durimin e nevojshëm dhe të respektojnë masat, sepse ndryshe, veprimtaritë aktive nuk do të kenë kuptim nëse popullata shkon duke u infektuar edhe më shumë dhe njerëzit duke vdekur.

Nuk jemi për mbyllje, por jemi për hapje të kontrolluar dhe me zbatim të masave. Vetëm kështu mund të vendosim ekuilibër midis shëndetit e ekonomisë dhe sektorët ta ndihmojnë njëri-tjetrin.