18:18 / E Martë, 09 Gusht 2022 / OSH

Zeqiri paralajmëron padi ndaj atyre që arrestuan policët pa pasur prova

Kryetari i Sindikatës së Policisë të Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se nëse është nevoja, sindikata do të ushtrojë padi ndaj atyre që i kanë arrestuar zyrtarët policorë pa pasur prova të mjaftueshme.

Në emisionin Info Magazine ai ka shtuar se përveç dëmtimit të imazhit, që iu bë personave të arrestuar, është dëmtuar edhe vetë imazhi i Policisë së Kosovës.

“Shqetësimet tona kanë qenë se veprimet e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë qenë të papranueshme, pa pretenduar që të hyjmë në hetime. Mirëpo, gjithmonë kemi thënë se para se të arrestohet zyrtari policor, duhet të sigurohen prova”.

Sipas tij, nuk ka ndonjë zyrtar policor që ftohet për intervistim nga Prokuroria dhe e refuzon një ftesë të tillë.

“Ne kemi siguruar një vendim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ku vërtetohet se janë ndërprerë hetimet ndaj tre personave zyrtarë në mungesë të provave. I kemi tre tani dhe unë mendoj se do të ketë edhe shumë të tjerë”.

“Ata zyrtarë janë arrestuar dhe ende janë të suspenduar. Përpos imazhit personal që iu është dëmtuar, kjo ka ndikuar edhe në imazhin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës si dhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi”.

“Ne do të kërkojmë nga organet e drejtësisë dhe nëse është nevoja do të shtrojmë edhe padi ndaj atyre që i kanë arrestuar zyrtarët policorë pa pasur prova për ta bërë një gjë të tillë”.