12:47 / E Enjte, 30 Maj 2019 / indeksADMonline

Zëvendësi i Hysajt kryen kontrollet mjekësore te Napoli

Napoli e ka nisur që tani merkaton verore dhe praktikisht ka kompletuar blerjen e parë, sepse mbrojtësi Giovanni Di Lorenzo është në Napoli dhe ka zhvilluar sot kontrollet mjekësore.

Në këtë mënyrë, klubi jugor po vë në jetë atë që paralajmëroi presidenti Aurelio De Laurentiis para pak ditësh: këtë verë Napoli do të përforcojë krahët e mbrojtjes dhe do të shesë disa lojtarë mes të cilëve Hysaj.

26 vjeçari Di Lorenzo, mbrojtës i djathtë, vjen nga një sezon i shkëlqyer, edhe pse skuadra e tij ra në Serinë B. Di Lorenzo luajti 37 ndeshje të plota (vetëm 1 më pak se rekordmeni Caputo), shënoi 5 gola e dha 3 asiste, ndërsa e mbylli me vetëm 8 kartonë të verdhë.

Napoli do të paguajë 8 milionë euro për pasardhësin e Elseid Hysajt, plus 1 milion euro bonus. Di Lorenzo i pëlqente shumë edhe Atletico Madridit, që ndoshta tani do të kthejë sytë përfundimisht nga Hysaj, i cili në verë do të largohet nga Napoli, diçka e pranuar edhe nga agjenti i tij të mërkurën.