12:54 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Zëvendësimi i tarifës me reciprocitet, Kurti: S’ka arsye që të ngutemi

Kryeministri Albin Kurti ripërsëriti se tarifa 100 për qind, do të zëvendësohet me reciprocitetin, i cili tha se nuk ka arsye për nguti rreth këtij vendimi qeveritar për mallrat serbe.

Kurti theksoi se së pari do të bëhet elaborimi i reciprocitetit nga Ministria e Ekonomisë me grupin e saj punues dhe pas kësaj Qeveria do të marrë vendimin për zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit.

Shefi i Ekzekutivit tha se nuk duan të bëjnë gabime gjatë këtij procesi dhe se duan të shkojnë drejt e mbarë.

“Tarifa zëvendësohet me reciprocitetin, s’ ka arsye që të ngutemi. Duhet që një herë ta bëjmë elaborimin e reciprocitetit dhe porsa të kemi këtë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë me grupin e saj punues, ne pastaj, edhe do ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Por, ne nuk bëjmë gabime, shkojmë drejt, mbarë në rrugën tonë të mirë”, tha Kurti.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas hapjes së ekspozitës “Kujtesa e Kosovës”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.