Zëvendësministri i MPB-së kërkon ratifikimin e demarkacionit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se qytetarët kanë nevojë për liberalizimin e vizave. Çdo kohë e humbur, sipas tij, vetëm sa i mbanë kosovarët në geto.
“94 rekomandimet teknike të BE-së për Qeverinë e Kosovës janë përmbushur. Ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit e cila si duket është bërë si thembra e akilit, pa vullnetin e qytetarëve nuk po kalon procesin e miratimit:, ka thënë Zeka.
Sipas tij, interesi i qytetarëve është që të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian, andaj çështje tjera janë detyra dhe përgjegjësi të institucioneve të Kosovës.
Ai thotë se detyrë me prioritet e institucioneve të Kosovës është mbrojtja e interesit të qytetarëve.
“Andaj ne si institucione të Republikës së Kosovë duhet të bëjmë përpjekje maksimale që në afat sa më të shkurt ta përmbyllim procesin e demarkacionit, kështu që e finalizojmë kushtin e fundit të mbetur për liberalizim të vizave”, ka thënë Zeka./Indeksonline/