11:32 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Zëvendësministri Shkodra: Mbrojtja nga sulmet kibernetike në agjendën e prioriteteve

Bizneset dhe vet qytetarët janë shumë shpesh të rrezikuar nga sulmet kibernetike, e si pasojë e kësaj po kërkohet që të merrën masa edhe nga ana e institucioneve dhe vet qytetarëve të Kosovës.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në kuadër të Muajit të Sigurisë Kibernetike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ishte pjesë e këtij paneli ku tha se ministria që ai përfaqëson dhe Qeveria janë të vetëdijshme për rritjen e sulmeve kibernetike dhe se ata janë mjaft aktiv dhe po ndërmarrin masa.

Më poshtë gjeni fjalim e tij të plotë:

Në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike në organizimin e Odes Ekonomike Amerikane mora pjesë në cilësin e panelistit në konferencen me temë: Muaji i Vetëdijësimit të Sigurisë Kibernetike.

Siguria kibernetikë sot konsiderohet ndër sfidat më të mëdha për sigurinë e qytetarit dhe sigurinë kombëtare në përgjithësi, si konsekuence e hovit të madh të zhvillimit dhe përdorimit të teknologjisë informative. Mbrojtja nga krimet kibernetike, si kërcënimi serioz i sigurisë kombëtarë ka hyrë në agjendën e prioriteteve, pothuajse në nivel global. Edhe Kosova si vend me shkallë të lartë të përdorimit të teknologjisë informative dhe qasjes në internet, është e ekspozuar ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të krimit kibernetikë. Që nga paslufta, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, është investuar shumë në krijimin e strukturës institucionale, ligjore, teknologjike dhe kadrovike për të iu përgjigjur sfidave në sigurinë kibernetike karshi inovacioneve teknologjike. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të theksohet edhe mbështetja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, siç është edhe takimi i sotëm me qëllim të mbështetjes së institucioneve të Kosovës në aspektin kadrovik, profesional, teknologjik e infrastrukturor në fushën e sigurisë kibernetike.

Institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast ministria e punëve të brendshme ka një rol të veçantë në këtë drejtim në hartimin dhe implementimin e politikave kundër kësaj sfide. Ka hartuar strategjinë dhe planin e veprimit për siguri kibernetike, me objektiva të qarta siç është ngritja e vetëdijes për sigurinë kibernetike, ngritja e kapaciteteve kadrovike e profesionale, si dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe teknologjisë së nevojshme për tu përballur me krimin kibernetik. Institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Brendshme, si koordinatore e strategjisë kombëtare për sigurinë kibernetike, kanë shënuar progres në përmbushjen e objektivave të strategjisë. Për më tepër, qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe koncept dokumentin për siguri kibernetike, si mjet orientues në reformat e nevojshme për siguri kibernetike. Megjithatë, mbetet ende shumë për tu bërë. Qëllimi i takimit të sotëm përputhet plotësisht me nevojën e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar në ngritjen e kapaciteteve për të përmbushur objektivat strategjik në fushën e sigurisë kibernetike. Jemi mirënjohës për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim, në përmbushjen e objektivave strategjike të sigurisë kibernetike, gjë që ndikon direkt në ngritjen e nivelit të sigurisë kombëtare në përgjithësi dhe sigurisë së qytetarit në veçanti.

Përpjekja e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për sigurinë kibernetike do të jetë e vazhdueshme, e pandalshme, dhe e adaptueshme karshi sfidave të reja që mund të dalin si rezultat i zhvillimit të teknologjisë.

Ju Faleminderit!