14:48 / E Enjte, 18 Prill 2024 / MSH

Zëvendësministrja Gashi dhe përfaqësuesit e Kanadasë diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka pritur në takim një delegacion kanadez të kryesuar nga sekretari parlamentar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, Rob Oliphant.

Gashi gjatë takimit ka folur për progresin ekonomik që ka shënuar Republika e Kosovës në vitet e fundit si dhe ka shprehur interesimin që Kosova ka për të bashkëpunuar në sferën ekonomike me Kanadanë, me theks të veçantë në fushën e minierave dhe energjetikës.

Shkëmbimi i përvojave në fushën e arsimit, sidomos ndarja e eksperiencave nga universitetet kanadeze me ato të Kosovës, u konsiderua si një mundësi e re e bashkëpunimit mes të dyja shteteve.

Përgjatë takimit u diskutua për aspektin e sigurisë, ku zëvendësministrja Gashi ka ri-theksuar faktin se antarësimi i Kosovës në NATO do të nënkuptonte më tepër siguri e stabilitet për të gjithë rajonin.

Sekretari Oliphant ndërkaq tha se Kosova ka mbështetjen e plotë të Kanadasë në të gjitha proceset e integrimit të saj në mekanizma ndërkombëtar.