14:08 / E Shtunë, 12 Janar 2019 / indeksADMonline

Zgjedh Ujkanin para Strakoshës, Berisha: Dua të ndërtoj një shkollë futbolli në Kosovë

Etrit Berisha ka arritur të rigjejë formën dhe besimin në portën e Atalantës, pas golit të pësuar në Europa League ndaj Dortmundit, që u pasua nga një gjunjëzim psikologjik për portierin e Kombëtares shqiptare, megjithatë, tashmë duket se gjithçka ka kaluar.

“E vuajta shumë atë episod, por dua të them se më ka forcuar karakterin. Sot jam i kënaqur dhe dua të vazhdojë këtu”, deklaron Etrit Berisha në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

“Në klasifikim nuk i kemi ende pikët e duhura për të luajtur sërish në Kupat e Europës vitin e ardhshëm, por besoj se do t’ia dalim, pasi jemi shumë afër, ndërkohë që ëndërroj të luaj në Champions League, atë që nuk munda dot ta bëj te Lazio në vitin 2015”, shton Berisha.

Kur e pyesin se cilët janë portierët më në formë të momentit në Europë, ai klasifikon të parin Lloris, më pas Pickford, Handanoviç dhe Oblak, ndërsa sa i përket klasifikimit të portierëve më të mirë në Itali, Berisha zgjedh në vendin e parë portierin e Kombëtares së Kosovës, përpara rivalit të tij direkt për portën kuqezi.

“Përveç Samir Ujkanit mund të përmend Donnarummën e Milanit, apo Cragnon e Cagliarit, pa harruar këtu edhe mikun tim Strakosha”.

Ndërkohë, kur është pyetur për të ardhmen, Etrit Berisha deklaron një tjetër synim personal.

“E shoh veten me një çantë në krah pas rreth 10 vitesh, duke kërkuar talente, e shpresoj që të ndërtoj një shkollë futbolli në Kosovë”, tha ai.