12:22 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Zgjedhet Rektori i Universitetit Publik “Ukshin Hoti” të Prizrenit

Prof. Dr. Ismet Temaj, profesor i matematikës është zgjedhur sot Rektor i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Zgjedhja e tij është bërë pas votimit, në Këshillin Drejtues të Universitetit.

Zgjedhjen e tij e ka konfirmuar kryetari i KD të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Bedri Muhadri, i cili ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se Temaj mori 6 vota, ndërsa mungoi një nga anëtarët e KD-së.

Pretendentë për këtë post ishin edhe Kadri Kryeziu (aktualisht Prorektor), Naser Pajaziti, Bekim Berisha, si dhe Hamdi Hoti.

Temaj aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit. Zgjedhja e tij u bë pas disa përpjekjeve dhe shtyrjeve të mbledhjeve të KD-së. Kjo ndodhi edhe gjatë javës së kaluar, kur zgjedhja e Rektorit u shty dy herë, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Në maj të vitit të kaluar Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

Me këtë UPZ i ka dhënë fund odisejadës për zgjedhjen e Rektorit.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj