18:00 / E Enjte, 08 Korrik 2021 / OSH

Zgjedhjet lokale/ Kryetarët e komunave të udhëhequra nga PDK do të jenë sërish kandidatë në zgjedhje

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të rikandidojë të gjithë kryetarët e Komunave në të cilat qeverisë ajo. Ky vendim ishte marrë nga kryesia qëndrore në janar të këtij viti.

Por pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Memli Krasniqi, janë ngritur dyshimet nga disa individë nëse kryesia e re e PDK-së e cila do të zgjidhet këtë muaj do ta rishqyrtojë këtë vendim.

Zyrtarë të lartë në Partinë Demokratike të Kosovës kanë thënë unanimisht për IndeksOnline se kandidaturat e nominuara deri më tani do të mbesin të tilla dhe ajo temë konsiderohet e mbyllur.

Ndërsa i kontaktuar nga IndeksOnline, sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi duke mos u përgjigjur konkretisht në pyetje, ka deklaruar se PDK ka një vazhdimësi në angazhimin e vetë dhe në vendimmarrje.

“Kryetari  i ri në platformën e tij ka treguar që PDK-në do ta bëjë të fuqishme dhe do të kthejë aty ku e ka vendin. Si adresë e parë politike”, ka qenë përgjigja e Gjoshit.

Rikujtojmë se një muaj më parë PDK-ja në qendër ishte detyruar të reagojë pasi dega e PDK-së në Drenas kishte nxjerr emrin e një kandidati tjetër për kryetar.

Në atë komunikatë është thënë qartë se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur./IndeksOnline/