21:37 / E Premte, 05 Mars 2021 / Blerim

Zgjedhjet në LDK/ Këta janë dy kandidatët e vetëm për kryetar deri më tani

Rezultati i dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit ka bërë që të ketë ndryshime të mëdha brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i deritanishëm, Isa Mustafa ka ofruar dorëheqjen e tij e me këtë i ka hapur rrugë procesit për zgjedhje të brendshme, transmeton Indeksonline.

Zgjedhjet e brendshëm të LDK-së, do të mbahen me datën 14 mars dhe deri më tani vetëm dy kandidatë që kanë paraqitur kandidaturën zyrtarisht.

Bëhet fjalë për Anton Qunin i cili në një emision ka bërë të ditur se do të kandidoj në zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe Skender Gashi, i cili dje përmes një postimi paraqiti kandidaturën e tij.

Edhe pse janë përfolur emra të shumtë si Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Lutfi Haziri apo Avdullah Hoti, asnjëri nuk e ka paraqitur kandidaturën zyrtarisht.

Përveç kryetarit, në mbledhjen e 14 marsit, do të zgjidhet edhe kryesia e re.

LDK në zgjedhjet e fundit pati rënie të madhe, duke dal e treta dhe duke fituar vetëm 15 ulëse në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës./Indeksonline