21:35 / E Hënë, 18 Shtator 2023 / AR

Zhvillimet në veri e në rajon temë diskutimi mes Kurtit dhe ambasadorit të ri austriak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

I uroi mirëseardhje ambasadorit Schnetzer. Teksa vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe te mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën, dhe ai i ofroi ambasadorit bashkëpunim të afërt në thellim të mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Kryeministri veçanërisht falënderoi Austrinë për mbështetjen në rrafshin e sigurisë me mbi 600 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për 14 programet e Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndër to ajo në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku qeveria këtë vit e ka çuar në 12 numrin total të profileve të arsimit dual bazuar në modelin “Ausbildung” nga katër sa ishin në vitin e kaluar. 

Ambasadori Schnetzer shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen që e ka pranuar në Kosovë. Biseduan për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve. Eksportet e Kosovës në drejtim të Austrisë sivjet janë rritur për 71.7% , kurse ato të shërbimeve për 120% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet direkte nga Austria në Kosovë në dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje për 11.6%.

Ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, veçoi interesimin e tij që të angazhohet në fushën e bashkëpunimit kulturor. 

Në takim po ashtu u bisedua edhe për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.