12:08 / E Shtunë, 10 Tetor 2020 / indeksADMonline

Zinxhiri përreth Turqisë: ngufatje për shtetin turk, apo mjet zgjerimi i Turqisë!?

Lufta e tanishme mes Azerbejxhanit dhe Armenisë, është edhe një hallkë më shumë në zinxhirin shtrëngues që po vendoset rreth e përqark Turqisë. Ky që po shihet si zinxhirë shtrëngues, në fakt, mund të lexohet edhe ndryshe; Shtrirje, zgjerim dhe ribërje e shtetit të Turqisë.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Shikuar në hartën e Lindjes së Mesme, të rajonit të Turqisë dhe së fundmi të Kafkasit, duket se gjërat kanë ndryshuar në themel. Copëtimi në tri pjesë i Irakut, ndarja e vazhdueshme dhe fiktive e Sirisë dhe përpjekja gati e përfunduar e krijimit të Kurdistanit, janë vetëm tri hallkat e këtij zinxhiri.

Në anën tjetër, rinisja e problemit të “12 ishujve” që edhe më tutje janë pjesë e Greqisë, nxehja e ujërave të Mesdheut Lindor që puqen me brigjet e Turqisë, “turbulencat” pro et contra në Detin e Zi dhe së fundmi nisja e luftës të paparë deri më tani në Karabag të Azerbejxhanit, s’do mend se janë ngjarjet më të mëdha që po ndodhin përreth Turqisë që nga themelimi i saj. Janë hallka të tjera të po atij zinxhiri.

Shto gjithë kësaj edhe “ofensivën” e tarikateve nga brenda, siç janë FETO dhe grupimet tjera islame ideologjike, në një mënyrë apo tjetrën, të gjitha këto, ose tregojnë fuqinë e mjaftueshme të Turqisë për tu përballur me gjithë këto ngjarje nga të cilat do të përfitojë në fund, ose janë pjesëza të projektit të ngjashëm me atë të një shekulli e diçka më parë që u përdorë për dobësimin dhe shkatërrimin përfundimtar të Perandorisë Osmane. 

Tani për tani askush nuk mund ta thotë fjalën përfundimtare se cili nga këto dy versionae është i vërteti. Sikur që, askush nuk mundi ta parashikojë dy dekada më parë një Turqi e cila do të bëjë kthesa kaq të mëdha. Se do të jetë në gjendje të bëjë atë që tani është duke e bërë. Apo, që është duke iu bërë.

Nëse llogarisim edhe prezencën ushtarake të saj në Katar, në Libi, në brigjet e Afrikës kah pjesa e Eritrisë dhe e Somalisë, shumë ngusht me Sudanin gjithashtu, atëherë, shikuar nga përpsketiva gjeostrategjike, ndikimi dhe fuqia e Turqisë ka kaluar edhe kufijtë e Lindjes së Mesme.

Turqia, ndoshta si asnjë shtet tjetër në botë, përveç Amerikës së para Trumpit, sot është duke “luftuar” në të gjitha anët. Ajo ka hapur fronte që ishin të paimagjinueshme deri para 20 viteve.

Jam mase i bindur se harta e Lindjes së Mesme de jure është ndryshuar tërësisht, a de facto do të dihet si do të jetë vetëm pas përfundimit të njërit prej konflikteve më të përgjakshme në Azinë Qendrore. Regjion ky i Kafkasit dhe përreth ku jetojnë edhe 300 milion njerëz të tjerë me prejardhje turke.

Nëse Turqia arrin që kësaj radhe të hapë një korridor lidhës mes saj dhe Azerbejxhanit, dmth, nëse “hjek qafe” Armeninë që e ka bllokuar atë korridor, shteti dikur i themeluar nga Ataturku e sot i udhëhequr nga Erdogan, ka gjasë t’i shtrijë “kufijtë” e vetë edhe përtej Azerbejxhanit. Në Dagistan, në Çeçeni në disa vende të tjera dhe do të del atje larg tek brigjet e Kaspikut. Apo, siç e quajnë turqit, Hazar Denisi.

Problemi më i madh për Turqinë e ardhshme, të sforcuar edhe më tutje, apo të shkallmuar nga kjo hapje kaq e madhe, do të jetë shteti i Kurdistanit. Shteti i cili iu premtua kurdëve në fillim të shekullit të kaluar, por që asnjëherë dhe asnjëra nga fuqitë e mëdha nuk e realizoi.

Turqia është e gatshme dhe e vendosur të ribëhet. Të gatshëm janë edhe kundërshtarët e saj ta ribëjnë. Dhe, secila nga këto dy palë, sipas fuqive, interesave, ambicieve dhe mundësive të tyre.

Por, gjithsesi, Turqia do të ribëhet.