15:02 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Zmajeviqit i konfirmohen 14 vjet burgim për krime lufte, në Kosovë

Gjykata e Apelit në Mal të Zi vërtetoi vendimin me të cilin shtetasi malazias, Vllado Zmajeviq është dënuar me 14 vjet burgim për veprën penale: krime lufte kundër civilëve. Gjykata e Apelit i kundërshtoi të gjitha aneksat e avokatëve mbrojtës të Zmajeviqit, duke mbështetur aktgjykimin e dhënë më parë nga Gjykata e Lartë, në Podgoricë.

Zmajeviqi, ish-vullnetar dhe pjesëtar i ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.

Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit në Podgoricë i kanë pranuar provat në bazë të të cilave Zmajeviqi fillimisht kishte vrarë një bari, sepse ai i ishte përgjigjur në gjuhën shqipe.

Ai më pas kishte vrarë edhe dy burra dhe një grua para shtëpisë së tyre.

Gjykatësi i rastit tha se në hetimin e parë Zmajeviqi kishte pranuar se i kishte kryer këto vrasje, por gjatë procedurave gjyqësore i ka mohuar rrëfimet paraprake.

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave, Loro Markiq tha për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se familjet e viktimave besojnë se drejtësia është arritur pjesërisht.

“Familjet e dëmtuara konsiderojnë se ky është një ndëshkim i butë për veprat e kryera, sepse bëhet fjalë për viktima që kanë ushqyer familjet e tyre me bukë”, tha avokati Markiq, raporton REL.

Në luftën e fundit në Kosovë, më 1998-1999 janë vrarë rreth 13.500 persona. Të pagjetur mbeten më shumë se 1.600 persona.