13:34 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / AR

Zona që s’duhet të neglizhoni kur bëni vetë-kontrollin e gjoksit

Duke qenë se tetori është muaji në të cilin njerëzit, institucionet, OJQ-të, kompanitë dhe njerëzit angazhohen në fushata për ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, këtë periudhë më shumë se kurrë duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo informacioni që lidhet me të.

Përveç kontrolleve rutinë tek mjeku që janë padyshim të rëndësishme, diçka tjetër e rekomandueshme është vetë-ekzaminimi i gjoksit. Eshtë shumë e rëndësishme të familjarizoheni dhe të kuptoni kur ka diçka që s’shkon me gjoksin tuaj. Gjatë kohës që jeni në dush, kur visheni apo thjesht nëse jeni duke qëndruar në divan, kthejeni në zakon që në mënyrë periodike të kontrolloni me duar gjoksin tuaj. 

Duke bërë këtë, ju mund të vini re nëse ka diçka të re apo jo normale në të që kërkon vëmendjen tuaj. Ajo që duhet të dini është se shumë gra teksa vetë-kontrollojnë gjoksin harrojnë një pjesë tjetër shumë të rëndësishme- zonën e sqetullave.

Sipas mjekëve kjo ndodh sepse ato nuk e konsiderojnë këtë si pjesë të gjoksit dhe e neglizhojnë duke harruar se kontrolli aty është shumë i rëndësishëm për shkak se është zonë e lidhur me gjirin.

Jo gjithmonë nëse vini re diçka të çuditshme në zonën e sqetullave është shqetësuese, pasi atje gjenden dhe ato që quhen noduset limfatike, por duhen kontrolluar nga mjekët e fushës.

Si duhet bërë kontrolli?

Sipas mjekëve, në të njëjtën formë siç vetë-ekzaminoni gjoksin. Duke përdorur pëllëmbën e dy gishtave ose të gjithë dorën dhe bëni lëvizje rrethore. Ju kujtojmë se këto janë thjesht kontrolle rutinë dhe s’është e nevojshme të panikoseni edhe nëse vini re diçka të pazakontë. Mund të jetë krijuar si pasojë e ndryshimeve menstruale apo për shkaqe të tjera. Këtë e konfirmon vetëm mjeku specialist.