14:40 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Zv/ministri Grabovci kërkon që emrat e Haxhiislamit dhe Vokshit të pllakosen në stadiumet respektive: “Nuk na pengojnë dhe na nderojnë”

Në cilësinë e Asambleistit komunal të Pejës, zv/Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Arbër Grabovci, ka kërkuar me ngulm nga Ekzekutivi komunal i Pejës që të jetësohet sa më shpejt vendimi i Kuvendit komunal të Pejës, i votuar unanimisht, për emërimin e stadiumit të qytetit ‘Shahin Haxhiislami’ në formë edhe tabelare të pllakosur, siç edhe e bartë emrin me nderë si dhe stadiumi – fusha në Brestovik me emrin e legjendës tjetër të futbollit Tahir Vokshi.

“Ne kemi vendosur këtu në këtë kuvend për këto emërime dhe që moti kjo punë ka marë fund. Në të dyja këto institucione sportive mungon emërtimi tabelarë. Nuk ka kurfarë kijameti me ndodhë kjo. Ekzekutivi duhet me zbatu vendimet e këtij kuvendi. Këto emërime neve na bëjnë nderë së pari më shumë se vet atyre legjendave. Sa i përket asaj se po pritet me përfundu punimet, kjo nuk paraqet problem sepse aty ndeshjet zhvillohen dhe pse mos të jenë emërtimet. Nëse bazohemi në pritje të punimeve në stadiumin e qytetit, kjo punë shkon largë, sepse ai vetëm se ka filluar të prishet para se të punohet. Emërimet tabelare nuk na pengojnë dhe na nderojnë.”-u shprehë Grabovci.

Grabovci tutje i ka dhënë mbështetje zyrtarizimit të emërimit të fushës së basketbollit ‘Valon Begolli fushë në të cilën ekziston pllaka emërtuese porse ka munguar vendimi.

“Këta tre emra, Valoni, Shahini dhe Tahiri, me përulje flasim për ta. Le të kryhen sot këto vonesa le të mbyllet kjo.”-tha ai.

Kuvendi më pas ka votuar unanimisht për zyrtarizimin e vendimit të emërtimit të fushës së basketbollit me emrin e të ndjerit Valon Begoli, ndërsa që Ekzekutivit i është kërkuar nga ana e kryesuesit të Asamblesë Islam Husaj, që në afat optimal të vihen pllakat tabelare, me emrat respektiv të Shahin Haxhisilamit dhe Tahir Vokshit të ngritura si çështje nga Arbër Grabovci.