23:47 / E Shtunë, 12 Janar 2019 / indeksADMonline

Zvarritja e ndërtimit të FSHMN-së, bojkotohet mësimi në këtë fakultet

Indeksonline pak më parë raportoi se çështja e ndërtimit të objektit të
Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) po zvarritet, ku edhe pse janë ndarë mjetet, parcela ende nuk është caktuar për shkak të bllokimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Pas kësaj, Këshilli i FSHMN-së ka njoftuar sonte se ka marrë vendim që të bojkotojë procesin mësimor.

Semestri i dytë për vitin akademik fillon me 18 Shkurt, në po këtë datë fillon edhe bojkoti i FSHMN-së.

Siç njofton Këshilli i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, ky vendim është rrjedhojë e injorimit të kërkesave për ndërtimin e një objekti që do të plotësonte kushtet për studime adekuate.

“Ne si studentë së bashku me profesorët, kërkojmë ndërtimin e objektit të ri, sepse gjendja në objektin e tanishëm është e mjerueshme. Tash e dhjetëra vite jemi të detyruar që ligjëratat, ushtrimet në laboratorët e improvizuar, e të gjitha mësimet ti mbajmë në bodrumet e Fakultetit të Filologjisë, hapësira të mbuluara nga myku, në kushte të tmerrshme, e ndonjëherë edhe në mungesë ndriqimi (pra vetëm me qirinjë). Pasi format e tjera ligjore nuk janë të mjaftueshme për shtetin tonë që ata të japin për ne zgjidhje konkrete, as për ne nuk janë të mjaftueshme premtimet e tyre boshe. Kështu, ne jemi të detyruar që të shfrytëzojmë bojkotin si mjet të fundit, aspak të favorshëm për ne, por gjithmonë më pak i dëmshëm sesa vazhdimi i studimeve në një ndërtesë ku përveç rrezikimit të shëndetit sot, as e nesërmja nuk duket e ndritur”, thuhet në njoftim.

“Bojkoti do të vazhdojë deri kur të na ofrohen zgjidhje konkrete ndaj kërkesave që për institucionet relevante janë më së të njohura”, thuhet në fund të këtij njoftimi të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore./Indeksonline/