23:09 / E Hënë, 07 Tetor 2019 / indeksADMonline

Zvezda e ka konfirmuar ardhjen në Mitrovicë por FFK-ja ngul këmbë që ndeshja nuk do të zhvillohet

Ndeshja e Kupës së Serbisë, ndërmjet të ashtuquajturës Trepça dhe Crvena Zvezdës është vendosur që të zhvillohet të mërkurën në Mitrovicë.

Pas shumë polemikave se në cilin vend do të luhet dy duel, klubi nga Beogradi ka konfirmuar ardhjen me gjithë ekuipazhin në shtetin tonë, transmeton Indeksonline.

Megjithatë, krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdojnë të insistojnë që kjo ndeshje nuk do të zhvillohet në territorin e Kosovës.

Sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se zhvillimi i kësaj ndeshje në Kosovë është veprim ilegal.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar dhe ajo ndeshje nuk do të luhet në Kosovë, sepse Federata e Futbollit të Kosovës është anëtar legjitim i UEFA-së dhe FIFA-së” ka deklaruar Salihu për RTK2.

Ndryshe, FFK-ja i ka bërë thirrje organeve shtetërore dhe atyre të sigurisë që të intervenojnë për të mos lejuar klubet serbe të zhvillojnë aktivitete ilegale në Kosovë. /Indeksonline/