75 Mall Live Search
16:14 / E Martë, 19 Gusht 2025 / MSH

Zvicra shpreh gatishmërinë për të realizuar takimin Zelensky-Putin

Zvicra do të ishte e gatshme që ta presë presidentin rus, Vladimir Putin, për bisedime të paqes rreth Ukrainës pavarësisht ekzistencës së një urdhërarresti për të nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP).

Kështu tha sot kryediplomati zviceran, Ignazio Cassis.

Zvicra, e cila njihet si shtet neutral, është nënshkruese e GjNP-së, por ministri i Jashtëm tha në televizionin publik SRF se, duke e marrë parasysh faktin se Putini do të vinte për qëllime të paqes, atij do të mund t’i lejohej hyrja në vend, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kjo ka të bëjë me rolin tonë diplomatik, me Gjenevën ndërkombëtare si qendër (evropiane) e Kombeve të Bashkuara” – shtoi ministri i Jashtëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka përmendur Gjenevën si vend të mundshëm për bisedime të paqes në Ukrainë mes Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenzky, pas një takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, Zelenskyt dhe disa udhëheqësve evropianë në Uashington.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest kundër Putinit në vitin 2023, pak më shumë se një vit pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, duke e akuzuar presidentin rus për krimin e luftës – dëbimin e qindra fëmijëve ukrainas nga shteti i tyre për në Rusi.