13:20 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Negociatat sekrete në prapaskenë?

Kolumna autoriale per IndeksOnline (1)  Shkruan: Shkëlzen Maliqi

A po dështon dalogu me Serbinë? Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë pasi që për procesin që është paralajmëruar si fund i përshpejtuar i dialogut Kosovë – Serbi, zyrtarët e të dy palëve këto ditë kanë deklaruar se faza finale as që ka filluar!

Ndërkaq jemi dëshmitarë se nga fillim i vitit 2018 nga shumë burime, edhe të vendeve vendimmarrëse thuhej se marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe obligatore do të realizohet deri në pranverë të vitit 2019!

Për aq sa shihet në diskursin dhe sjelljet publike, prej kohësh kemi vendnumërim dhe jo proces aktiv.  Madje, zhvillimet sikur shkojnë mrapsht, me bllokada edhe të marrëveshjeve paraprake të Bruksel;it si dhe ashpërsime të marrëdhënieve në perditëshmërinë që shpërfaqin inate ballkanike. E gjithë kjo po e bën gjithnjë e më pak të besueshëm realizimin e  qëllimit, të proklamuar edhe nga BE dhe SHBA, në këta pak muajt që kanë mbetur deri në pranverë të vitit 2019.

Megjithatë, edhe pse mbizotëron skepticizmi, disa zhvillime në prapaskenë, por edhe në aktivitetet e shpeshtuara diplomatike, sikur sinjalizojnë të kundërtën se mbase ekziston mundësia që në pranverë të kemi marrëveshjen e cila sjell paqen, njohjen e ndërsjellë dhe antarësimin e Kosovës në OKB.

Ky version optimist bazohet në supozimin se tashmë është dakorduar, në bisedat e fshehta, projekti i marrëveshjes ku parimisht janë zgjidhur të gjitha çështjet kyçe mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ndoshta kanë mbetur disa pika me ndieshmeri për të cilat palët duhet të bëjnë kompromiset e momentit të fundit, pa prekur shumë në eencën e pajtimeve parimore.

Nuk është ky i vetmi moment që kërkon supozimin se në prapaskenë po ndohin bisedat secrete. Kjo nuk do të ishte bafasi nëse kihen parasysh praktikat tashmë të sprovuara të trajtimit të çështjeve të ndieshme për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare përmes diplomacisë secrete (përfundimi i luftës në Vijetnam, marrëveshja izraelito-palestineze etj. etj.)  Bile, për të pasur sukses dhe ecuri të papenguar, kjo rekomandohet si mjet që çon drejt arritjes së kompromiseve të “dhimbshme” që janë të detyruara të bëjnë palët kur e negociojnë paqen.

Por, është fakt se deri më sot askush nuk e ka konfirmur mbajtjen e një piste sekrete të bisedave, paralele me atë të dialogut në Bruksel. Ndoshta e kemi dëgjuar vetëm një indikacion mes rreshtave të diplomatitit austriak Wolfgang Petrich, kur para disa muajsh, duke i komentuar deklaratat e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë rreth arritshmërisë së marrëveshjes finale, ka pohuar se bëhet fjalë, siç është shprehur, për punën e ca instituituve për siguri qw kanë sugjeruar zgjidhje pragmatike të korigjimeve minimale të kufirit Kosovë-Serbi, si këmbim i disa fshtrave me banorë shqiptarë dhe serbë, duke i dalur kështu në krah pohimeve të Hashim Thaçit se bëhet falë për korrigjime, e jo për ndonjë këmbim më masiv territoresh.

Në të vërtetë, dy vjet më parë janë dëgjuar disa përshpërime nga qarqet e informuara që paralajmëronin një draft-marrëveshje sekerete të përgatitur në shkallën prej pothuajse 99 për qind, por që askush nuk e ka parë ose sjell elementet e saja në publik.

Një indikacion tjetër se mbase ekziston marrëveshja është diskursi shumë i ngjashëm i presidentëve të Kosovës të Serbisë si dhe nëglizhenca pothuajse e plotë rreth dialogut të Brukselit. Praktikisht, që nga fillimi i vitit janë mbajtur vetëm disa takime më shumë protokolare me ndërmjetësuesen Federica Mogherini, pa e bërë asnjë hap përpara, ndërkaq që pothuajse çdo here është thënë se marreveshja finale duhet të kryhet shpejtë.  Kjo është e mundshme vetëm nëse bisedat sekrete politike ia kanë marrë anën atyrë të Brukeselit të cilësuara si teknike, ku edhe janë arritur thuajse të gjitha marrëveshjet për lehtësimin e raporteve Kosovë – Serbi, dhe vetëm pritet marrëveshja politike finale që të mundësojë edhe implementimin e  plotë edhe të gjithë pakos së Brukselit.

Përndryshe, nëse këto supozime nuk janë të sakta, atëherë zvogëlimi i madh i aktiviteteve rreth dialogut në Bruksel do të duhej të ishte brengosës si simptom i ngecjes së Kosovës, për faktin se çështja e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara është jetike si për ne ashtu edhe për rajonin.

Njëfarëdore rëndësia e prapaskenës të marrëveshjes finale, me gjithë të panjohurat dhe dyshimet në përmbajtjen e saj, është shfaqur edhe në Kuvendin e Kosovës në seancën që e pat ftuar opozita për ta penguar që Presidenti Thaçi të vazhdojë udhëheqjen e dialogut që quhej i “paautorizuar”.  Kjo seancë dështojë në përpjekjen e saj sepse edhe kundërshtarët më të zëshëm të Thaçit, si Albin Kurti, nuk morrën pjesë në votimin, duke arrit efektin e kundërt, legjitimimin e rolit të tij. Kjo mbase ndodhi edhe falë ardhjes të të dërguarit të administrates së SHBA, Matthew Palmer, i cili i mblodhi te gjithë drejtuesit e institucioneve dhe partive për të dhënë porosinë me rëndësi vitale mbi marrëveshjen finale dhe qëndrimin amerikan pro saj. Ky intervenim i ngjante atyre të viteve ’90 kur State Departamenti intervenonte në favor të Ibrahim Rugovë çdo herë që luhatej pozita e tij në skenën e brendshme. Me mision të ngjashëm, pas Serbisë, Kosovën e viziton sot Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz.

Mbetet shpresa se mbase edhe para pranverës do të kemi më shumë elemente të marrëveshjes finale për ta përkrahur ose edhe refuzuar, nëse nuk është e baraspeshuar dhe avancuese për statusin sovran të Kosovës.