19:49 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Zvicra u vështirëson refugjatëve të njohur udhëtimin në vendet e prejardhjes

Në të ardhmen, refugjatët me status të njohur në Zvicër, mund të ndalohen të udhëtojnë në vendet fqinje me vendin e tyre. Sipas njoftimit të Këshillit Federal, rregullorja e re që bën këtë ndalesë do të hyjë në fuqi më 1 prill.

Rregullorja ka për qëllim të parandalojë që refugjatët e pranuar të kthehen në vendin e tyre ose në vendin e origjinës, pasi që konsiderohet se ata janë përndjekur nga ai vend.

Parlamenti kishte vendosur në fund të vitit 2018 që të ligjëronte dhe të ashpërsonte ndalesën e udhëtimit, transmeton albinfo.ch. Përjashtimet nga ndalimi i udhëtimit janë të mundshme vetëm nëse një anëtar i familjes së refugjatit me status të pranuar është sëmurë rëndë ose ka vdekur. Udhëtimi mund të miratohet për një maksimum prej 30 ditësh.

Si anëtarë të familjes në këtë kontekst konsiderohen: prindërit, gjyshërit, motrat, vëllezërit, bashkëshortët, fëmijët dhe nipërit dhe mbesat.

Fillimisht, Këshilli Federal kishte synuar që si përjashtime, gjegjësisht si mundësi për lejim të udhëtimit t`i trajtonte edhe rastet që konsiderohen si “arsye të rëndësishme për mbajtjen e marrëdhënieve familjare”, përcjell albinfo.ch. Në veçanti, raste të tilla do të ishin lindja e një fëmije ose martesa e një anëtari të familjes.

Por pas konsultimit, Këshilli Federal tani ka vendosur një rregullore më kufizuese, duke ndaluar përjashtimet e përmendura.