15:08 / E Hënë, 16 Shtator 2019 / indeksADMonline

Zvogëlohet numri i vendeve në, “Arenën Kombëtare”

Shqipëria do të ketë një stadium të kategorisë së katërt, referuar standardeve të UEFA-s, të cilit i mungon vetëm kriteri i kapacitetit (mbi 35 000) për të pasur kategorinë maksimale, atë të pestë.

E teksa kjo mangësi ka qenë e projektuar që në start, përgjatë punimeve, zbatimi i projektit duket se ka pësuar ndryshime.

Fillimisht, u tha dhe u deklarua se do të jetë një stadium që do të ketë një kapacitet prej 22. 000 vendesh të pranishme, por së fundmi diçka e tillë është reduktuar.

 “Panorama Sport” ka mësuar se bëhet fjalë për një kapacitet afro 21.777 që do të ketë impianti në momentin që do të përfundojë ndërtimin. Një ulje e cila zyrtarisht deri tashti është shpjeguar me rritjen e hapësirave midis stolave dhe që në projekt ka sjellë reduktimin e 223 vendeve.

Impianti është modern dhe shumë gjigant për vendin tonë, teksa është i pari që do të jetë me dy kate dhe në formën e një teatri. Së fundmi, janë provuar edhe dritat dhe sistemi i ndriçimit do të jetë i formës “LED”, bashkëkohor dhe modern, ndryshe nga stadiumet tradicionale me 4 kulla ndriçimi në skaje.

Është premtuar si nga FSHF-ja, ashtu edhe nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, se stadiumi do të inaugurohet në ndeshjen e fundit që Shqipëria do të luajë gjatë këtyre kualifikueseve, kundër Francës. Kryeministri Rama ka bërë me dije se impianti do të jetë gati për sfidën ndaj kampionëve të botës.