16:56 / E Enjte, 31 Janar 2019 / indeksADMonline

Zyrtare: Dukagjini përforcohet me 7 futbollistë

Ekipi i Dukagjinit të Klinës që po synon të sigurojë një vend në play-off të Ligës së Parë për të luftuar për Superligë, ka zyrtarizuar dy portierë, dy mbrojtës dhe tre futbollistë ofansiv.

Bëhet fjalë për portierin me përvojë nga Superliga, që së fundi ka qenë pjesë e Besës së Pejës, Enis Manxholli si dhe portieri i Istogut, Dardan Podrimaj.

Për më tepër, klubi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me mbrojtësin e Drenicës Muharrem Musa dhe me atë të Arbërisë, Drin Lladrovci.

Musa është mbrojtës i djathtë, ndërsa Lladrovci përveç tjerash ka qenë edhe pjesë e Kosovës U21 në disa raste.

Sa i përket pjesës ofansive, Dukagjini ka nënshkruar me mesfushorin e dëshmuar të Ferizajit Fuad Karabeg, me ish-lojtarin e Vëllaznimit Burim Qorri dhe me lojtarin e ri, Ardit Berisha që vjen nga Besa e Kavajës.

Dukagjini ka përfunduar pjesën vjeshtore në pozitë të tretë të Ligës së Parë, që garanton play-offin, ndërsa dy vendet e para do ta dërgonin direkt në elitën e futbollit kosovar.Rivalë kryesor të Dukagjinit për një vend që shpie direkt drejt Superligës janë Vëllaznimi dhe Vushtrria, që janë sipër tyre në Ligë të Parë.