17:03 / E Martë, 14 Korrik 2020 / C E

ZYRTARE: Superliga me 10 skuadra, Liga e parë ndahet në dy grupe

Sot është zhvilluar mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së ku janë marrë disa vendime të rëndësishme.

Nga sezoni i ardhshëm Superliga do t’i ketë 10 skuadra derisa Liga e parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, shkruan Indeksonline.

Më poshtë janë vendimet:

Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë.

Në fakt, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa nga liga largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup.

Ndërsa, nga Liga e dytë kampioni dhe nënkampioni ngjiten në Ligën e parë, ndërsa nga liga largohen 4 skuadrat e fundit. Po ashtu, nga Liga e Tretë në një rang më lart ngjiten kampionët e të dyja grupeve.

KE debatoi edhe për procesin e gjetjes së sponsorëve për Ligën e parë, Ligën e femrave dhe të futsallit.

Po ashtu KE shqyrtoi edhe mundësinë e lejimit të formimit të skuadrave”B” të klubeve të Superligës dhe mori vendim që t’u lejohet klubeve të Superligës formimi i skuadrës “B” i cili do të garojë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës. /IndeksOnline/