20:39 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Zyrtarët e kësaj komune shpenzuan mbi 23 mijë euro derivate

Komuna e Zveçanit nuk ka kontrolle mbi mënyrën se si shpenzohen derivatet e veturave zyrtare dhe telefonia fikse e mobile.

Shpenzimet për derivate të kësaj komune ishin mjaft të larta.

Shpenzimet totale të derivateve për vitin 2018 ishin 23,102€ dhe përfaqësojnë më shumë se 12% të shpenzimeve totale për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, transmeton Indeksonline.

Menaxhmenti ka emëruar një mbikëqyrës për zbatimin e kontratës, detyra e të cilit ishte kontrollimi dhe mbajtja e shënimeve mbi konsumin e produkteve të naftës. Megjithatë, nuk ka ndonjë raport nga menaxheri i projektit.

Komuna nuk mbanë shënime adekuate për shpenzimet për automjetet zyrtare (të dhëna ditore për kilometrazhin, shpenzimin e karburanteve dhe destinimin për secilën veturë). Zyrtarët nuk paraqesin kërkesa për përdorimin e automjeteve dhe nuk përgatisin urdhëresat për udhëtim zyrtar.

Kjo ka ndodhur sepse komuna nuk ka miratuar një rregullore të brendshme për përdorimin e veturave zyrtare dhe si pasojë nuk ka të vendosura kontrolle të brendshme adekuate.

Sipas ZKA-së,  mos mbajtja e një evidence adekuate të përdorimit të automjeteve zyrtare dhe kilometrave të kaluar, mund të ndikoj në pagesa të parregullta dhe mos marrje të furnizimeve/shërbimeve për vlerën e paguar dhe rritë rrezikun për keqpërdorim të fondeve.

Në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se kjo komunë nuk ka rregullore të brendshme lidhur me këto shpenzime, duke mos ditur se ku dhe si përdorën ato.

Po ashtu, për një vit, zyrtarët e kësaj komune për 38 numra të telefonit dhe për shërbime të internetit shpenzuan 11 mijë e 128 euro.

“Për shërbimet e internetit dhe të telefonisë mobile, Komuna nënshkroi një kontratë më 27 prill 2018. Data e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate është përcaktuar në mënyrë retroaktive nga 01.01.2018 deri më 31.12.2020. Komuna për këto shërbime në periudhën janar prill kishte paguar gjithsej 908€. Kontrata për telefoninë mobile dhe internet ishte nënshkruar pa zbatimin e procedurës së LPP-së. Kjo ka ndodhur për shkak se menaxhmenti nuk ka kontrolle efektive lidhur me zbatimin e Ligjit për prokurim publik”, thuhet në këtë raport.

Nënshkrimi i kontratave pa një proces të prokurimit dhe konkurrencë të lirë mund të ndikoj që kostoja e të mirave materiale/shërbimeve të jetë më e lartë se sa ajo që do të mund të përfitohej nga çmimet aktuale të tregut.

Më tutje, mungesa e një rregulloreje të brendshme për shpenzime të telefonisë mobile rrisin rrezikun për vlerë të dobët për paranë dhe humbje buxhetore.

Kryetari i komunës duhet të siguroj që kontratat të nënshkruhen sipas kërkesave të LPP-së. Me tutje të siguroj kontrolle të brendshme adekuate për shpenzimet, si dhe të siguroj që do të hartohet dhe aprovohet një rregullore e brendshme për shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile./Indeksonline/