10:45 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Zyrtarit të komunës së Kllokotit i ngrihet aktakuzë, keqpërdori pozitën zyrtare

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.E., për shkak të veprës penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, në muajin janar të vitit 2018, në fshatin Pozheran, Komuna e Vitisë, i pandehuri A.E., si person zyrtar në pozitën e këshilltarit të kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit material dhe shkaktimit të dëmit të operatorit ekonomik NTP “Blina’’, ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që arrin marrëveshje verbale me përfaqësuesin e operatorit të lartcekur që të vendoste inventar në objektin e ri të komunës, duke i premtuar se më vonë do të zbatohen procedurat ligjore dhe do të bëhet pagesa nga Komuna e Kllokotit.

Përfaqësuesi i operatorit ekonomik ka vendosur gjithë inventarin e porositur në objektin e ri të Komunës së Kllokotit dhe deri tani nuk është realizuar asnjë pagesë nga komuna, me ç’rast atij io është shkatuar dëm material në vlerë prej 4.460 eurosh.

Me këto veprime, i pandehuri A.E., ka kryer veprën e sipërshënuar penale.