Zyrtarizohet edhe një kandidat për deputet nga AAK e Pejës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon të përfaqësohet në Kuvend edhe me kandidatin për deputet, Labinot Panxha.
Përmes një njoftimi, Panxha ka njoftuar se ka vendosur që për herë të parë të kandidojë për deputet, shkruan IndeksOnline.
Sipas tij, deri te ky vendim erdhi duke e parë situatën politike në vend.
“Po, jam i vetëdijshëm se kjo garë është sfiduese dhe e vështirë, por për të guximshmit asgjë nuk është e paarritshme!” u shpreh ai.
Ky është njoftimi i plotë i Panxhës:
Të dashur miq, të respektuar qytetarë të Pejës dhe mbarë Kosovës, të dashur vëllezër e motra që jetoni në diasporë,
Duke e parë situatën politike në vend, ku është krijuar një krizë institucionale nga politikanë dhe udhëheqës me mendësi autoritare, të cilët para interesit të shtetit dhe kombit zgjedhin interesat dhe tekat e tyre personale, kam vendosur që, për herë të parë, të garoj në Zgjedhjet Nacionale dhe të jem pjesë e listës- KANDIDAT PËR DEPUTET nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Po, jam i vetëdijshëm se kjo garë është sfiduese dhe e vështirë, por për të guximshmit asgjë nuk është e paarritshme!
Këto arritje nuk bëhen pa ju, qytetarë të dashur. Andaj, ju ftoj të bashkoheni me ne dhe me vizionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshën ata që dhanë jetën për lirinë tonë!
Dalshim faqebardhë!

