10:55 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj ka një kërkesë për policët e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj rastit të djeshëm në Gjakovë, ku një person kishte gjuajtur zyrtarët policor me armë zjarri deri sa po zbatonin planin operativ “Stop Drogës në Shkolla”.

Haradinaj ka kërkuar nga policët që të mos zmbrapsen nga kjo luftë me rëndësi jetike për rininë e Kosovës, përcjellë Indeksonline.

Ai ka thënë se do t`i qëndrojë mbrapa zotimit të tij që fëmijët të mos ekspozohen ndaj substancave narkotike.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

Sulmi i djeshëm në Gjakovë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të angazhuar me përkushtim në implementimin e planit operativ “Stop Drogës në Shkolla”, nuk do ta ndalojë zbatimin e këtij aksioni.

Policia e Kosovës ka qenë shumë aktive dhe e suksesshme në përmbushjen e këtij synimi. Jam krah tyre dhe i inkurajoj ata, që të mos zmbrapsen nga kjo luftë me rëndësi jetike për rininë dhe të ardhmen e tyre.

Zotimit tim, për siguri në ambientet shkollore dhe moslejim të ekspozimit të fëmijëve tonë ndaj substancave narkotike, do t’i shkoj gjer në fund. Jam i angazhuar pareshtur, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, që kjo dukuri të mos vazhdojë të helmojë më rininë tonë.

/Indeksonline/